Shpërthimi me eksploziv i makinës “Mercedez A Class” të prokurorit Arjan Muça te parkimi i qendrës tregtare “Kristal” te Komuna e Parisit mbrëmjen e sotme tronditi zonën.
Policia në reagimin e parë pas ngjarjes thotë se ngjarja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, ndërsa shton se dyshohet se është shkaktuar nga lëndë plasëse. Makina ka pësuar dëme në pjesën e përparme, ndërsa fatmirësisht nuk ka të lënduar, pasi nuk kishte njeri brenda.
Policia deklaron se po kontrollon zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit.
Nuk dihet kush ka qenë objektivi, prokurori Arjan Muça apo gruaja, Gentiana Muça, pasi makina përdorej nga të dy.
Gentiana Muça është gjyqtare gjykata administrative e Tiranës, ndërsa bashkëshorti i saj Arjan Muça ka qenë i emëruar në prokurorinë e Gjirokastrës, por me ndryshimet e fundit është komanduar prokuror në Tiranë.
Gazetarja e ABC, Xhensila Kodra raporton se Arjan Muça aktualisht është inspektor në KLP. / db/ Abcnews.al