Franca nis me fitore Ligën e Kombeve

schedule19:24 - 10 Shtator, 2018

schedule 19:24 - 10 Shtator, 2018

Franca e nisi me fitore Ligën e Kombeve, duke mundur Holandën në Paris. Kampionët e botës festuan edhe fitoren në Rusi, përballë 80 000 spektatorëve të tyre.

Ishte një mbrëmje që duhej bërë kujdes për të mos u prishur.

Më shumë sesa sfida e parë e Ligës së Kombeve, ngjarja në “Stadë dë Frans” u duk më shumë si një ceremoni solemne për kremtimin e triumfeve historikë.

Holanda, rivalja e Francës, duhej të priste derisa ky kremtim të konsumohej, me paradën e trofeut të Kupës së Botës fituar në Rusi, me banderolën e madhe në fushë ku shkruhej “kampionët e botës” , e derisa të përfundonte ekzekutimi i himnit, “Marsejezës”.

Të 80 000 spektatorët në tribuna u mbushën me lumturi e krenari në ato pak minuta festë, veçse ndeshja ndaj holandezëve nuk shkoi aq “fjollë”.

Vërtet, Franca fitoi 2-1, por vetëm pasi Rajan Babel barazoi në pjesën e dytë, golin e avantazhit të parë francez me autor Kilian Mbapenë.

Minutat ishin 14 për Mbapenë e 67 për Babelin, ndërsa në të 75-ën fitorja erdhi nga ai që nuk pritej, nga sulmuesi “që nuk shënon kurrë”, Olivie Zhiru.

Njeriu i Çelsit arriti në 32 rrjeta në kombëtare, një më shumë se Zinedin Zidan, i katërti i të gjitha kohëve, edhe pse është ende larg më të mirëve si Mishel Platini me 41 gola dhe rekordmeni Tieri Henri me 51.

Gjithsesi, më i miri i kampionëve të botës ishte si përherë, Mbape.

Sulmuesi që tashmë është 20 vjeç po kthehet dalë nga dalë në liderin e skuadrës, dhe në njeriun më të rrezikshëm përpara portave kundërshtare, me shpejtësinë dhe cilësinë e tij.

Kampionët e botës e nisën Ligën e Kombeve me fitore, ndërsa Holanda e trajnerit Koeman duket e përmirësuar, por ende larg kohëve të saj të arta. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!