Gravina: Luajnë 14 mijë shqiptarë te ne, do doja një miqësore Shqipëri-Itali

schedule15:53 - 11 Mars, 2021

schedule 15:53 - 11 Mars, 2021

Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini zhvilluan sot një vizitë në “Shtëpinë e Futbollit”. Të tre presidentët u pritën në takim nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit e më konkretisht nga Presidenti Duka, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku dhe nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.  Kreu i FSHF përshëndeti vizitën e tre homologëve në Shqipëri dhe i falënderoi për humanizmin dhe solidaritetin e treguar e pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Jam i kënaqur që kemi sot këtu me ne Presidentin e Federatës Italiane, z. Gravina, Presidentin e Federatës së Maqedonisë së Veriut, z. Sejdini dhe presidentin e Federatës së Kosovës, z. Ademi. Në radhë të parë dua t’i uroj mirëseardhjen, t’i falënderoj dhe në të njëjtën kohë t’i shpreh, jo vetëm mirënjohjen time dhe të komunitetit të futbollit, por mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve për solidaritetin e tyre në një moment tonin shumë të vështirë, siç ishte tërmeti i nëntorit 2019.

I gjithë globi ka kaluar një periudhë të vështirë pandemike, por ne kaluam një tjetër ngjarje akoma më të vështirë mbase, tërmetin e nëntorit 2019 dhe presidenti Gravina ishte nga të parët që më ka telefonuar që në ditën e parë, për të më pyetur për dëmet, çfarë nevojash kishim, me çfarë mund të na ndihmonte dhe i është bashkuar iniciativës së Federatës së Futbollit për ndërtimin e disa shtëpive, me një fond të krijuar nga ne.

Këtij fondi i janë përgjigjur edhe Federata të tjera, si Federata Spanjolle, Federata Islandeze, Federata e Irlandës së Veriut dhe kryesisht vëllezërit tanë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut dhe kemi ndërtuar këto shtëpi. Arsyeja e kësaj vizite është që ne të vizitojmë shtëpitë, që janë në kantier ndërtimi dhe një nga shtëpitë e përfunduara.

 

Mund t’ju them edhe një fakt tjetër, që 40% e punonjësve të kompanisë së presidentit Gravina janë shqiptarë. Edhe ky është një solidaritet tjetër, një shenjë miqësie apo afërsie me ne. Edhe një herë do të doja t’i falënderoja të gjithë, Presidentin Gravina, të gjithë ata që na kanë ndihmuar, futbollistët e ekipit Kombëtar, trajnerin Reja që ka qenë një donator i rëndësishëm, administratën e Federatës së Futbollit, presidentin Sejdini dhe presidentin Agim Ademi”, është shprehur Duka.

Më pas e mori fjalën Gravina: “Dua të falënderoj Presidentin Duka për këtë mikpritje të shkëlqyer. Futbolli ka një gjuhë unike, një gjuhë universale. Rrëzon çdo barrierë dhe bashkon popujt. Në këtë rast specifik miqësia që më lidh me z. Duka është një shenjë e qartë se futbolli ka një dimension të shkëlqyeshëm marrëdhëniesh.

Sot së bashku me miqtë tanë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut përfaqësojmë të katër thuajse 8% të kampionatit të futbollit europian. Kjo tregon se sa e rëndësishme është të qëndrojmë bashkë, sa e rëndësishme është që përmes futbollit të jetojmë emocionet që i bëjnë edhe më të forta ndjenjat mes popujve. Me Shqipërinë ne jetojmë një marrëdhënie ku ndajmë shumë projekte të futbollit në vendet tona, por edhe në nivel europian”.

“Kur ka një moment vështirësie të madhe siç kemi përjetuar ne në Itali në vitin 2009, siç ka përjetuar Shqipëria në vitin 2019 mendoj se popujt bashkohen dhe i përballojnë nevojat së bashku me vëllezërit dhe miqtë e tyre. E kam vlerësuar shumë disponibilitetin e Shqipërisë dhe të Presidentit Duka për të krijuar këtë moment për t’u takuar me miqtë e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut sepse së bashku kemi zbuluar se jemi të apasionuar pas futbollit, por mbi të gjitha jemi miq.

Në pak kohë takohemi, në pak kohë arrijmë të ndajmë ato që janë vlerat e vërteta të sportit. Kjo është forca e madhe e sportit, kjo është forca më e madhe e futbollit. Për këtë dua të falënderoj presidentët, falënderoj ju të gjithë për disponibilitetin dhe mikpritjen dhe më lejoni të them rroftë futbolli, rroftë Shqipëria, rroftë Italia, rroftë Kosova dhe rroftë Maqedonia e Veriut”.

 

“Vizita, fushatë për një vend si anëtar i KE në UEFA? Sot nuk duam të merremi me politikë. Mund të flisnim edhe në telefon për këtë çështje. Prezenca ime këtu është një formë respekti për z. Duka, sepse e meriton e sepse ndajmë së bashku një rrugëtim të rëndësishëm, por mbi të gjitha sepse unë besoj që Italia, Shqipëria dhe futbolli duhet të zbulojnë edhe kuptimin e të qenit së bashku.

Nuk mund të humbasim ato që janë momentet e ekzaltimit të sportit tonë, duke jetuar vetëm kompeticionet sportive. Kemi nevojë të takohemi nga afër. Kemi qëndruar bashkë mbrëmë në një atmosferë të shkëlqyer, sot do të kalojmë një tjetër ditë bashku dhe më lejoni të them se kjo është forca e ndjenjës së madhe që na bashkon”.

“Problemi i dokumentacioneve të futbollistëve shqiptarë? Është një problem i vërtetë, për fat të keq burokracia është një nga elementët që bllokon mundësitë për të luajtur për shumë të rinj. Komuniteti më i rëndësishëm në Itali që praktikojnë sportin, është ai shqiptar. Janë rreth 14 mijë futbollistët shqiptarë që luajnë për klube italiane dhe duhet të përshpejtuar ky proces. Unë uroj që me qeverinë italiane të mund të gjenden modalitetet e duhura për të përshpejtuar hapat”.

“Miqësore Shqipëri-Itali? Do të kisha shumë dëshirë të bëhej, ne kemi dy ndeshje mes ekipeve kombëtare të moshës U-19 në muajin gusht. Për fat të keq kalendari i ndeshjeve ndërkombëtare na impenjon që të dyja vendet në garat zyrtare. UEFA i ka organizuar tashmë kampionatet zyrtare, por po përpiqemi të përdorim kompeticionet e moshave për të gjetur një mundësi për t’u ndeshur në fushë”, është shprehur Gravina. /abcnews.al