“Orë të stërgjata, plot me dhimbje dhe mezi pret momentin që dikush të të shpëtojë”.
Kështu e ka nisur rrëfimin e tij për Newsmediaset, Gianluca Ardini. 28-vjeçari arriti t’i mbijetojë tragjedisë së Xhenovas, ditën kur ura Morandi u shkatërrua. Ai qëndroi për katër orë i varur me rripin e sigurimit në furgon derisa forcat e kërkim-shpëtimit arritën ta nxirrnin.
https://www.youtube.com/watch?v=Q3rAcmje1bI
Në ato momente të tmerrshme Gianluca mendonte vetëm për një gjë… djalin që do lindte për disa ditë.
“Në një situatë të tillë mendon për familjen, fëmijën që do të lindë dhe si ia dola të shpëtoj. Mund të shkonte edhe më keq”, tha ai.
Gianluca tregoi edhe momentet e para të tragjedisë. Atë se si filloi gjithçka.
“Më kujtohet që po binin disa shtylla dhe pastaj si në një film, asfalti u shkatërrua dhe u shembëm poshtë. Vazhdoj dhe pyes veten si është e mundur që furgoni u shkatërrua dhe unë jam akoma gjallë. Në ato momente mendova më të keqen, mund edhe të mbetesha i paralizuar, por gjithçka shkoi mirë”, tregon 28-vjeçari.
Atë ditë, Gianluca nuk ishte vetëm në furgon. Sëbashku me të ishte edhe kolegu i tij, Luigi, por nuk mundi t’i shpëtojë tragjedisë. Pavarësisht gjithçkaje në fund, i mbijetuari i Xhenovas falenderoi edhe personin që e nxorri nga furgoni.
“Ai është ëngjëlli im. Ishte me të vërtetë i jashtëzakonshëm”, përfundoi Gianluca Ardini.
Tragjedia në Xhenova, mori jetën e 41 personave, mes tyre dhe të dy të rinjve shqiptare./abcnews.al