Brnabiç paralajmëron BE: Mos vini në provë durimin tonë

schedule15:09 - 7 Shtator, 2018

schedule 15:09 - 7 Shtator, 2018

Bashkimi Europian nuk duhet të luajë më me durimin e Serbisë dhe nuk duhet të mbështesë më Prishtinën e cila nuk po respekton marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut me Beogradin. Ka qenë ky reagimi i ashpër i kryeministres së Serbisë pasi autoritetet kosovare i ndaluan presidentit Vuçiç që të vizitojë liqenin e Ujmanit gjatë qëndrimit të tij në Kosovë të dielën.

Kryeministrja serbe Ana Brnabiç, paralajmëroi Bashkimin Europian që të mos luajë me durimin e vendit të saj në një moment që sipas saj Prishtina nuk po respekton marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun Kosovë-Serbi. Ajo u shpreh se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të verë në provë durimin e Serbisë, por të kuptojë rrethanat dhe të veprojë sipas tyre. Mediat serbe raportojnë se Brnabiç beson se duhet shumë durim për të biseduar me përfaqësuesit e Kosovës, të cilët sipas saj janë “të papërgjegjshëm, të paparashikueshëm dhe njerëz që nuk i respektojnë marrëveshjet”.

Ajo shton se nuk e kupton heshtjen e Bashkimit Evropian, që sipas saj po i shërben Prishtinës për më shumë se pesë vitesh, që të mos respektojë marrëveshjet për vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë. Deklarata e Brnabiç vjen pas vendimit të autoriteteve kosovare që Vuçiç t’i lejohet vizita në Kosovë por jo edhe në Liqenin e Ujmanit. Për kërkesën e Vuçiç që të vizitojë Ujmanin gjatë vizitës së tij në Kosovë, foli edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili tha se nuk ka asnjë bazë për një kërkesë të tillë. Ndërkohë Marko Gjuriç, drejtori i të ashuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, publikoi një email zyrtar të marrë nga autoritetet kosovare, ku thuhet se Vuçiç i ndalohet vizita në Liqenin e Ujmanit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!