Pas Hysit dhe Bares, një tjetër deputet largohet nga politika

schedule12:55 - 6 Mars, 2021

schedule 12:55 - 6 Mars, 2021

Pas tërheqjen nga lista e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit, të Vasilika Hysit dhe Besnik Bares, një tjetër personazh i Rilindjes ka njoftuar largimin nga politika.

Sadi Vorpsi ka njoftuar publikisht tërheqjen nga kandidimi i tij si deputet i PS-së.

Vorpsi përmes një postimi në rrjetin social Facebook shkruan se pas 4 vitesh kontribut si Prefekt i Qarkut Tiranë dhe 4 vitesh si deputet i Partisë Socialiste, ai heq dorë nga politika dhe do ja lëre stafetën prurjeve të reja.

Ndër të tjera në reagimin e tij Vorpsi deklaron se dhe pse nuk do të jetë në PS si kandidat për deputet, ai do të jetë aktiv në fushatën e 25 Prillit për mandatin e domosdoshëm të PS dhe Edi Ramës.

Postimi i plotë:

Të nderuar miq, mbështetës e dashamirës!

Pas 4 vitesh kontribut si Prefekt i Qarkut Tiranë dhe 4 vitesh si deputet i Partisë Socialiste, kam vendosur t’ia kaloj stafetën prurjeve të reja për t’u fokusuar më shumë tek familja ime dhe në angazhime të tjera private. T’i sherbeja vendit dhe qytetit tim ka qenë nder dhe privilegj i jetës sime.

Partia Socialiste është jo vetëm shtëpia më e madhe politike, por dhe më përparimtarja e gjithëpërfshirësja. Edi Rama e transformoi nga një parti në opozitë të vështirë, në forcën vendimtare për qeverisjen dhe modernizimin e vendit.

Kam shijuar çdo moment përfaqesimin e komuniteve nga zemra e Tiranës, e më pas në Vorë e në Farkë dhe jam krenar për gjithçka kemi arritur së bashku. Edhe pse nuk do të kandidoj sërish, do të jem po aq aktiv në fushatën e 25 Prilllit për mandatin e domosdoshëm të PS dhe Edi Ramës për t’i çuar gjer në fund punët e nisura e për ta bërë Shqipërinë zonjë.

Ju falenderoj nga thellësia e zemrës për të gjithë mbështetjen dhe mezi pres të bashkojmë forcat për fitoren e 25 Prillit.

Juaji gjithmonë, Sadi./abcnews.al