Shensoji: Gjici me Kapllanajn lidhen me futbollin, sa Skënderbeu me internetin

schedule09:35 - 6 Mars, 2021

schedule 09:35 - 6 Mars, 2021

Naxhi Shensoji, ish-trajner i Bylisit e Kukësit në vendin tonë i është rikthyer aventurës në Shqipëri, ku ka drejtuar Kukësin dhe Bylisin. Në fjalën e tij në Arena Sportive në RTK trajneri dardan foli ashpër për qasjen e klubeve shqiptare ndaj trajnerëve nga Kosova.

Gjithashtu ai foli edhe në emra të përveçëm, ku u ndal te Safet Gjici dhe Besnik Kapllanaj, respektivisht president i Kukësit dhe Bylisit. Për ata të dy Shensoji u shpreh nuk kanë lidhje me futbollin, aq sa ka pasur Skënderbeu me internetin. Shensoji aktualisht drejton Lirinë e Prizrenit.

“Shumë herë më kanë pyetur në Azerbejxhan nëse filozofia ime është nga futbolli turk apo jugosllav. E kam thënë këtë gjë dhe nuk kam arsye përse ta fshehim. Unë e kam transmetuar filozofinë e futbollit jugosllav dhe për këtë duhet të flasim me argumente.

Kjo është njëra ndër arsyet përse ndoshta në Shqipëri xhelozojnë. Atje nuk i duan trajnerët nga Kosova, unë isha i pari dhe me gjasë kam mbetur i fundit, pasi askush më tjetër nuk ka shkuar.

 

Të dish dhe të duash janë dy gjëra krejtësisht të kundërta. Ata që financojnë në klubet sportive janë si Skënderbeu me internetin. Shembull Safet Gjici i Kukësit dhe Besnik Kapllanaj i Bylisit, nuk kanë lidhje me futbollin dhe janë shumë larg tij.

Kam arritur në finale (të Kupës së Shqipërisë) me Bylisin, një skuadër jo shumë e madhe, por që arriti një sukses të madh. Në finale arbitrat na vodhën ndeshjen dhe këtë mund ta them lirisht. Që nga ajo kohë, skuadra e Bylis asnjëherë më nuk pati një sukses të tillë”, përfundoi Shensoji. /abcnews.al