Nga Anna Mehler Paperny, Reuters
Masa e fundit e Kanadasë për të ofruar qëndrim të përhershëm për më shumë të huaj që jetojnë dhe punojnë në vend është një zgjidhje afatshkurtër për problemet ekonomike të nxitura nga një ngadalësim i imigracionit në lidhje me pandeminë, sipas analistëve, ndërsa kritikët argumentojnë se strategjia përjashton shumë njerëz të pambrojtur.
Në strategjinë e Kanadasë përfshihen një rekord prej 401,000 banorësh që supozojnë të marrin nënshtetësinë gjatë 2021. Vendi, i cili pranoi 184,370 persona vitin e kaluar, numri më i ulët që nga viti 1998, e ka kthyer tashmë vëmendjen tek më shumë se 1 milion banorë të përkohshëm brenda kufijve të tij për të rritur numrin, duke i bërë thirrje emigrantëve të aplikojnë për qëndrim të përhershëm.
Ekonomistët, megjithatë, thonë se masa nuk do të ketë një ndikim të dukshëm në rritjen ekonomike të Kanadasë dhe nuk është një zgjidhje për sfidat afatgjata demografike të vendit, duke përfshirë një popullsi të plakur.
Norma mesatare vjetore e rritjes ekonomike të Kanadasë deri në vitin 2034 pritet të tkurret me 0.6%, sipas analistëve.
Ministri Kanadez i Emigracionit Marco Mendicino tha për Reuters në një intervistë javën e kaluar se kufizimet për shkak të pandemisë nënkuptojnë se qeveria duhet të rishikoj grupin e talenteve që është tashmë brenda kufijve të tyre.
Në janar, Kanadaja i dha lejen e përhershme 26,600 banorëve, shumica e të cilëve tashmë punonin në vend, raporton abcnews.al
Kjo ishte 10% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Muajin e kaluar, qeveria Kanadeze ftoi 27,000 punëtorë të përkohshëm që plotësuan disa kushte për të aplikuar për qëndrim të përhershëm.
Mendicino tha se shifrat e janarit tregojnë se vendi mund të përmbushë objektivin e vitit 2021, por shumica nuk janë dakord.
Kanada është mbështetur për dekada në punëtorët e përkohshëm për të ndihmuar në përmbushjen e nevojave të tregut të saj të punës. Ka pasur sigurisht disa mënyra që këta njerëz të qëndrojnë në vend, por ato kanë qenë të pakta.
Shfaqja e COVID-19 zbuloi boshllëqe në sistemin e imigracionit të Kanadasë kur bëhej fjalë për banorë të përkohshëm që janë në mënyrë unike të nevojshëm, por edhe thelbësor, tha Harald Bauder, një profesor në Universitetin Ryerson në Toronto.
Një rrugë drejt qëndrimit të përhershëm për ta është e mese nevojshme, shtoi ai. Mendicino tha se Kanadaja mund të ofrojë një rrugë të tillë për punëtorët e bujqësisë, të cilët shpesh janë margjinalizuar ose përjashtuar nga politikat e imigracionit.
Disa kritikë argumentojnë se veprimet e qeverisë nuk mbrojnë punëtorët të cilët shpesh punojnë në punë me rrezik të lartë, me paga të ulta dhe që nuk priren të kualifikohen për programe të qëndrimit të përhershëm.
“Sistemi aktual, ose rruga për tek PR (qëndrimi i përhershëm), nuk ka ndryshuar,” tha Syed Hussan, drejtori ekzekutiv i Aleancës së Punëtorëve Emigrantë.
Kanadaja do të mbështetet në strategjinë e saj aktuale “sigurisht” deri në vitin 2021 dhe 2022, tha Mendicino, duke shtuar se përqendrimi në kthimin e banorëve të përkohshëm në anëtarë të përhershëm të shoqërisë kanadeze mund të sinjalizojë një ndryshim afatgjatë.
Një pjesë tjetër sigurisht janë më skeptikë.
“Ndoshta bllokimi për shkak të pandemisë do të thotë një bllokim për emigrantët “, tha Arthur Sweetman, një ekonomist në Universitetin McMaster në Hamilton, Ontario.
“Unë mendoj se diçka e tillë do të zgjasë për sa kohë që kufijtë janë të mbyllur.” Përktheu Sonila Backa/abcnews.al