Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë sot në orën 11:00, një ditë pasi skadoi afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Legjislaturës së 11-të.
Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, ka vendosur që vazhdimi i seancës të mbahet sot, e shtunë, 8 gusht, nga ora 11:00.
Sipas njoftimit të Kuvendit, në rendin e ditës janë dy pika: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve.
“Të shtunën, më 8 gusht 2026, në orën 11:00, vazhdon seanca konstituive e Legjislaturës XI të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Rendi i ditës: 3. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit; 4. Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.”
Afati kushtetues përfundoi në mesnatë
Seanca e Kuvendit u zhvillua deri pas mesnatës, ndërsa deputetët nuk arritën ta përfundojnë procesin e konstituimit brenda afatit.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët kishin 30 ditë kohë për ta konstituuar Kuvendin, afat që niste nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.
Afati përfundoi mbrëmë në orën 00:00, pa u zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Opozita qëndroi në Kuvend deri në mesnatë
Partitë opozitare qëndruan gjatë mbrëmjes në ambientet e Kuvendit, deri në skadimin e afatit në mesnatë.
Dështimi për ta konstituuar Kuvendin brenda afatit të përcaktuar ka hapur një situatë të re politike dhe institucionale, ndërsa vazhdimi i seancës sot pritet të përcaktojë hapat e mëtejshëm për funksionalizimin e Legjislaturës së 11-të.


