Presidenti Ilir Meta ka komentuar raportin e “Freedom House”, i cili vlerëson se Shqipëria ka humbur pikë. Sipas raportit, Shqipëria nga 67 pikë vitin e kaluar, ka 66 pikë këtë vit me një pikë rënie në kategorinë e të drejtave të grumbullimit dhe organizimit, lidhur me dy ngjarje, atë të Teatrit Kombëtar dhe vrasjen e Klodian Rashës.
Lidhur me këtë, Meta shprehet se Përkeqësimi i të gjithë treguesve, veçanërisht shkelja mizore e të drejtave të njeriut, është një këmbanë e fortë alarmi për instalimin e shtetit policor.
Lexo edhe: Freedom House: Shqipëria rënia me një pikë, ndikoi protesta për TK dhe vrasja e Klodian Rashës
Mesazhi i plotë nga Ilir Meta:
Shqipëria një hap më pranë autoritarizmit!
“Freedom House” e zbret Shqipërinë edhe më poshtë për vitin 2020, mes regjimeve HIBRIDE!
Shembjen e Teatrit Kombëtar për interesa klienteliste, dhunimin e protestuesve dhe vrasjen kriminale të Klodian Rashës gjatë kohës së pandemisë nuk mund t’i mbulojë asnjë propagandë. Këto dhe të tjera ngjarje të rënda kurrë nuk do të amnistohen dhe për to drejtësia do vendoset në vend.
Përkeqësimi i të gjithë treguesve, veçanërisht shkelja mizore e të drejtave të njeriut, është një këmbanë e fortë alarmi për instalimin e shtetit policor, që e kam denoncuar prej kohësh.
Referendumi i 25 prillit 2021 është momenti historik për t’i dhënë një trajektore të re të demokracisë, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, me qëllim përmbushjen sa më parë të kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian. ??