Eder Martins, braziliani që ka luajtur me kombëtaren e Italisë, është tërbuar pasi Suning Group vendosi të shkrinte kampionët e Kinës, Jiangsu FC. 35-vjeçari, i cili ishte transferuar në Azi nga Interi, thekson se pronarët e zikaltërve janë gënjeshtarë.
“Suning nuk do të vazhdojë të investojë në futboll. Ata tregojnë mungesë respekti ndaj punonjësve dhe futbollistëve, ata thjesht na lanë ne pa paga dhe na e ndaluan të luanim për klube të tjera. Të gjithë ishin gënjeshtarë.
Ne bëmë një gjë të shkëlqyer për Suning Group, madje fituam edhe kampionatin kinez, por nuk morëm trajtimin dhe respektin që meritonim. Nëse Suning Group do të falimentonte do i kuptoja, por jo kështu si na trajtojnë ata.
Ne ishim të mbyllur në dhoma hoteli për disa muaj, duke përhapur emrin e Suning në të gjithë botën. Në fund morëm një trajtim të tillë, pa respekt. Drejtori sportiv gjithmonë e ka treguar veten si një gënjeshtar dhe kurrë nuk i respektoi premtimet që ka kishte bërë”, është shprehur Eder për “Oriental Sports Daily”. /abcnews.al