Në shkollat e Tiranës ka nisur shpërndarja e teksteve shkollore. Që nxënësit nga klasa e parë në të katërt ti përfitojnë librat falas, prindërit e tyre duhet të firmosin një akt marrje në dorëzim. Ndërkohë, fëmijët duhet të bëjnë kujdes gjatë përdorimit pasi nëse libri dëmotohet prindërit do ta paguajnë.
Shtatë ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, pra brenda datës 10 shtator të gjithë nxënësit në arsimin parauniversitar duhet të jenë pajisur me tekste shkollore. Librat kanë filluar të shpërndahen nëper shkolla. Nxënësit nga klasa e parë deri në të katërt, të cilët këtë vit i përfitojnë tekstet pa pagesë, duhet të parqiten në shkollën e tyre të shoqëruar nga prindërit ose kujdestari ligjor. Pasi për të përfituar paketën e teksteve shkollore ky duhet të firmosë aktin e marrjës në dorëzim.
Rozalba Merdani, përgjegjëse për politikat dhe strategjitë e arsimit: “Prindi merr një set tekstesh dhe firmos që i mori në dorëzim ato dhe pastaj këto tekste janë në përdorim falas nga nxënësi, pastaj në përfundim të vitit shkollor ato do të kthehen përsëri me një akt të tillë që nënshkruhet midis mësuesit dhe prindit.”
Ndërkohë, nxënësit duhet të bëjnë kujdes gjatë përdorimit të librave. Nuk duhet ti dëmtojnë, ndërsa për shënimet duhet të përdorin lapsin. Nëse në mbyllje të vitit shkollor mësuesit vlerësojnë se teksti nuk është mirëmbajtur prindërit duhet të paguajnë vlerën e tij.
“Ato do të kenë edhe fletoret e punës, të cilat janë pjesë e setit që tërheqin nxënësit dhe fletorja e punës është personale, mbi atë ata mund të punojnë pasi është e tyre dhe nuk e kthejnë. Kurse teksti është ai që duhet të kthehet në fund të vitit dhe ai duhet të mirëmbahet. Për tekstet e matematikës, ku është e nevojshme që të bëhen shënime, ato do të bëhen me laps. Do të bëhen të tilla që mund të fshihen dhe të mos e dëmtojnë tekstin. Gjithmonë do te ruhet teksti nga grisjet dhe njollosjet dhe do të kenë parasysh që këtë tekst do ta përdorë një pasardhës. Nëse fëmija e dëmton, prindi do të ngarkohet me vlerën monetare.”
Keshillën për ti mirëmbajtur librat ky nxënës i klasës së katërt e mori edhe nga kryeministri Edi Rama e ministrja e Arsimit Lindita Nikolla. Ata ishin në këtë familje për të promovuar nismën e teksteve falas. Njëkohësisht kryeministri dhe ministrja informuan prindërit edhe për një tjetër vendim që do të nisë të aplikohet këtë vit në sistemin arsimor në vend. Ndalimi i celularëve në shkolla. Nisma do të zbatohet si për nxënësit dhe për mësuesit.
Edi Rama, Kryeministër: “Po e bën Franca dhe Italia, ne e kemi diskutuar, do e bëjmë shumë të fortë. Do jetë e vështirë por do e bëjmë që çdo celular që do kapet do sekuestrohet.”
Në rast nevoje prindërit do të komunikojnë me fëmijët apo mësuesit përmes sekretarisë së shkollës. Sipas ministres Nikolla, akualisht prindërit kanë shprehur bashkëpunimin e tyre për zbatimin e këtij vendimi./abcnews.al