Alban Rexha është një personazh interesant, madje unik. Një ish-futbollist, i cili është i dënuar të mos futet në asnjë stadium ku luhen ndeshje të organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ironia e fatit është se ish-sulmuesi e ka pësuar pas një ndeshjeje të ish-skuadrës së tij.
Rexha është dënuar në fillim të tetorit 2019, pas sherrit masiv te tifozëve në derbin e kryeqytetit me Tiranës dhe Partizanit. Komisioni i Disiplinës mori masa të ashpra dhe ish-futbollisti u përfshi në sherrin e ndodhur para fillimit të derbit.
E shkuara e Rexhës është shumë interesante, pasi ai ishte pjesë e Partizanit në fillim të viteve ‘2000. Jo vetëm kaq, por në sezonin 1999/2000 ai ishte shënuesi më i mirë i “demave” me tetë gola të shënuar në Kategorinë e Parë (sot emërtohet Kategoria Superiore).
Gjithsesi ai e ka konsideruar veten përherë tifoz të Tiranës, edhe pse bardhebluve u ka shënuar në derbi kur luante me Partizanin. Rexha mund të jetë rasti unik i një ish-futbollisti që nuk lejohet të futet në stadium.
https://streamable.com/92stts
I kthyer në një ultras, Albani mori famë edhe më shumë kur mori pjesë në një reality shoë, “Kafazi Artë”. Më pas ai tentoi të çante edhe në botën e muzikës, me këngën “Ju rujt Zoti”, bashkëpunim me Renis Lelën.
Rexha, veçse me Partizanin, si futbollist është aktivizuar edhe me Tomorin, Laçin dhe Egnatian, ndërkohë që pasi u dënua nga Disiplina mendoi të përfshihej edhe në botën e menaxhimit të futbollistëve.
Ai transferoi te Teuta sulmuesin shtatlartë, Idelino Colubali. Vetëm një gol në Superiore dhe sulmuesi nga Guinea-Bissau u largua në momentin që shpërtheu pandemia. Asnjë gjurmë, ndërkohë që vetë Rexha Tiranës nuk i ndahet. Ndoshta në stadiume nuk e ndjek dot, por nga TV-ja nuk e shqit dot njeri… /abcnews.al