Festimi me Shqiponjë kthehet në ligat europiane

schedule14:05 - 3 Shtator, 2018

schedule 14:05 - 3 Shtator, 2018

Festimi i golave me shqiponjë është kthyer sërish në çështje në futbollin europian. Shkodran Mustafi e bëri një gjest të tillë në Angli, ndërsa ka kërcënime për Xhakën dhe Shaqirin.

Ishte saktësisht fillimi i minutës së 12-të në stadiumin e Kardifit. Në atë moment, festimi me shqiponjë u rikthye në elitën e futbollit europian, falë Shkodran Mustafit. Me ta dërguar topin në rrjetë në emër të Arsenalit, ai bëri shenjën tepër të njohur, me dy pëllëmbët e duarve, drejtuar nga shoku i tij i ekipit, lojtari tjetër me origjinë shqiptare, Granit Xhaka. Ishte pikërisht lojtari i përfaqësueses së Zvicrës që asistoi rrjetën e lojtarit të përfaqësueses së Gjermanisë, por në një Europë të trembur nga emigrantët, dhe nën fantazmat e klisheve nacionaliste, ky festim nuk u prit mirë.

Jo edhe aq në Angli, apo Britaninë e Madhe, ku maksimumi i reagimit ishin titujt e gazetave që lajmëronin se Mustafi mund të merrte një gjobë nga Federata për festimin e quajtur politik. Në kontinent është ndryshe. Ish-lojtari i Zvicrës, Stefan Henshoz, sulmoi pikërisht dje, Xhakën, duke u shprehur se ai nuk e përfaqëson më ekipin kombëtar. “Ai nuk duhet të jetë kapiten i Zvicrës”, – shtoi ish-mbrojtësi, cituar nga gazeta “Blik”, ndërsa në përfaqësuese është hapur çështja e shiritit, me tërheqjen e ish-kapitenit Lihtshtajner.

Gjithsesi, pavarësisht propagandës dhe frymës së momentit, Xhaka mori gati 13 për qind të votave të tifozëve për të qenë ai mbajtës i shiritit.
Kjo, pas sondazhit pikërisht në gazetën “Blik”, dhe ishte i dyti pasi favoritit Jan Zomer.
Granit Xhaka u bë antipatik për një pjesë të publikut zviceran pasi festoi me shqiponjë golin e shënuar për Zvicrën, kundër Serbisë në Botëror. Gjithsesi, kërcënimet nuk mjaftohen vetëm me Xhakën.

Të tilla mori edhe Xherdan Shaqiri, dhe kjo pasi skuadra e tij Liverpuli u shortua në grup me Crvena Zvezdën e Serbisë.
“Shaqiri e di se çfarë e pret në Beograd, – u shpreh drejtori i Zvezdës, Zoran Terziç, – nëse vjen, ai këtu do të jetë më i vogël se një kokërr gruri”. Lojtari ofensiv gjithashtu festoi me shqiponjë, pasi shënoi golin e fitores së Zvicrës, ndaj Serbisë në të njëjtën ndeshje të Kupës së Botës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!