Juventus fiton, por Ronaldos i mungojnë golat

schedule19:42 - 2 Shtator, 2018

schedule 19:42 - 2 Shtator, 2018

Cristiano Ronaldo vazhdon të jetë në krizë goli në Serinë A. Trajneri i Juventusit, Alegri, tregon se përse portugezi nuk po shkëlqen si në Spanjë.

Të vetmit gola i ka shënuar në stërvitje.

Cristiano Ronaldo nuk e kishte menduar se do të kalonin tri ndeshje të Serisë A, pa e gjetur rrugën e rrjetës.

Për fat të keq, ky është realiteti dhe duket sikur portugezi e ka lënë në Madrid aftësinë për të realizuar.

Pas Chievos e Lazios, ja edhe Parma nuk e lejoi, ndërsa fitorja e tretë radhazi e Juventusit u arrit me golat e të paoksidueshmit, Mario Manxhukiç dhe të francezit kampion të botës, Blaise Matuidi.

Në të kundërt, në të njëjtën mbrëmje, atë të së shtunës, Reali nuk e pati aspak të vështirë të triumfonte 4-1 ndaj Leganjesit në ligën spanjolle, edhe pa CR7-n.

Madrilenët janë me mesataren mbi 3 gola për ndeshje në fillimin e kampionatit, me Karim Benzema që duket se po zëvendëson Cristianon dhe që sipas trajnerit Lopetegui mund të arrijë në 40 gola këtë sezon.

Bashkë me sulmuesin francez, shumë efikas uellsiani Gareth Bale, por edhe kapiteni Sergio Ramos që vazhdon të mos gabojë nga pika e bardhë e penalltisë.

Çfarë po ndodh me Ronaldon?

“Seria A është një kampionat i vështirë, më i vështirë për të shënuar gola sesa La Liga, – thotë trajneri juventin, Allegri, – nuk është e lehtë që të realizosh 40 gola këtu. Gjithsesi, Ronaldo luajti një ndeshje shumë të mirë dhe e ndihmoi ekipin fuqimisht. Tani do të ketë pak më shumë kohë për të pushuar dhe për t’u përshtatur”.

Duket se mënyra e lojës në Itali është problemi kryesor, pasi në 70 vjet, vetëm Gonzalo Higuain ka arritur të shënojë më shumë se 30 rrjeta në edicion, saktësisht 36.

Në Spanjë, në të kundërt, për 20 vjet me radhë, fituesi i Këpucës së Artë ka realizuar mbi 30 rrjeta, me Messi-n që ka arritur edhe 50, dhe me Ronaldon deri në 46.

Cristiano nuk e ka tek Juvja atë ndihmë të ekipit për ta dërguar topin në rrjetë, siç e kishte në Madrid./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!