Nga Ajgena Korbi
Në Shqipëri rreth 2.7% e mjekëve dhe infermierëve kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër koronavirusit.
Në rreth një muaj sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë kryer 2313 vaksinime ku 1693 persona kanë marrë vetëm injeksionin e parë të Pfizer.
Në Stadiumin “Air Albania” në Tiranë sipas mjekes Brikena Limaj procesi po vijon me personelin shëndetësor.
“Për momentin kemi personel të dy materniteteve të Tiranës, njëkohësisht janë planifikuar që të vaksinohen dhe personeli i spitalit të Traumës, personeli i spitaleve të Durrësit, Dibrës dhe Kavajës. Sot janë rreth 24 persona që marrin dozën e dytë të vaksinës dhe njëkohësisht vazhdon vaksinimi i të moshuarve”, thotë ajo.
Pas Tiranës dhe Shkodrës vaksinimi kundër Covid 19 ka nisur dhe në Vlorë me mjekët dhe infermierët.
Kryeministri Edi Rama, ishte atje bashkë me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe Shefen e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik Silva Bino.
Ndryshe nga këta bluza të bardha mjekja, Silva Bino ndonëse e ka kaluar koronavirusin ka zgjedhur ta marrë injeksionin anti-Covid në Vlorë.
Ndërkohë vaksinimi do të vijojë me personalitete mbi 80 vjeç që do të përzgjidhen referuar sëmundjeve shoqëruese.
“Shumë shpejt të gjithë do të jenë të vaksinuar. Të dielën do të fillojmë me vaksinimin e disa personaliteteve, mbi 80-vjeç”, tha Rama.
Të enjten është planifikuar të marrin injeksionin anti-Covid në të tre qytetet rreth 700 persona.
Vaksinimi kundër Covid-19
2 doza 620 mjekë dhe infermierë
1 dozë 1693 mjekë, infermierë, të moshuar
2313 vaksinime në total
/abcnews.al/