Autoritetet gjermane kanë shkulur një statujë prej ari të presidentit turk Erdogan, e vendosur në sheshin e një qyteti në kuadër të një festivali. Prania e objektit kishte shkaktuar reagimin e banorëve dhe zyrtarët druheshin se mund të bëhej shkak për akte të dhunshme.
Zjarrfikësit në Gjermani kanë hequr një statujë prej ari të presidentit turk Recep Taip Erdogan në qytetin Vizbaden, pasi prania e saj shkaktoi një reagim të ashpër të banorëve vendas. Gjithashtu, mbi statujë u vizatuan grafiti, përfshirë etiketimin e presidentit si “Hitleri turk”. Sipas mediave gjermane, heqja e statujës është bërë për arsye sigurie pasi rreth 100 rezidentë kishin protestuar kundër saj. Policia tha se, nuk mund të garantonte më sigurinë e njerëzve, ndaj dhe thirri zjarrfikësit të cilët përdorën një vinç për ta shkulur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, kur ishte ende errësirë.
Rreth 3 milionë qytetarë me prejardhje turke jetojnë në Gjermani dhe Erdogan, që në qershor u rizgjodh president me pushtet të zgjeruar, pritet të bëjë një vizitë në Berlin në fund të shtatorit, në përpjekje për të riparuar marrëdhëniet. Gjermania ka kritikuar Turqinë për arrestimin e rreth 50 mijë personave dhe pezullimin nga detyra të 150 mijë të tjerëve, mes të cilëve mësues, gjyqtarë dhe ushtarë pas grushtit të shtetit të vitit 2016. Berlini akuzon qeverinë e Ankarasë për përdorim të tepruar të forcës dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Nga ana e saj pala turke mbrohet me argumentin se veproi për të ruajtur sigurinë kombëtare. Në valën e arrestimeve që pasoi grushtin e shtetit pati edhe gazetarë gjermanë, gjë që çoi në ftohjen mes dy vendeve, deri para pak vitesh partnerë të rëndësishëm tregtarë./abcnews.al