PD për audio regjistrimin: Gjyqtari i Strasburgut rrëzoi justifikimin e Bibës

schedule13:00 - 29 Gusht, 2018

schedule 13:00 - 29 Gusht, 2018

“Një bisedë mes dy miqsh, mes ish-pedagosut dhe ish-studentit…”

Këtë version që nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Denar Biba dha për bisedën me anëtarin e Gjykatës së Strasburgut bërë publike përmes një regjistrimi audio sipas Partisë Demokratike e hedh poshtë vetë Ledi Bianku.

Këshilltari për Çështjet Ligjore në selinë blu, Gazmend Bardhi, i referohet medias që publikoi audio resgjistrimin, e cila thotë se gjyqtari Bianku e ka raportuar atë tek eprorët e tij në Gjykatën e Strasburgut si shantazh.

Gjyqtari shqiptar në Strasburg ka konfirmuar se në përputhje me detyrimet e tij etike dhe ligjore, pas takimit me Denar Bibën, ka informuar Kryetarin e atëhershëm të Gjykatës së Strasburgut, duke e cilësuar mesazhin e të dërguarit të qeverisë si ndikim të papërshtatshëm. Mjafton ky pohim për të kuptuar përpjekjen qesharake të sekserit të Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit për t’u thonë shqiptarëve se nuk është ashtu siç duket, se shantazhi nuk është shantazh, por miqësi e vjetër. Çfarëdo të bëjë Edi Rama me Engjëll Agaçin, është fakt i pandryshueshëm se të ashtuquajturën “bisedë miqësore” të Denar Bibës, gjyqtari shqiptar në Strasburg e raportoi pranë Kryetarit të Gjykatës së Strasburgut si ndërhyrje të paligjshme në punën e tij. Një ndërhyrje e tillë synonte ndihmë për qeverinë kundër interesave të pronarëve shqiptarë”, deklaroi Bardhi.

Mungesën e një reagimi për audioregjistrimin e publikuar në media të martën nga ana e kryeministrit Edi Rama, Bardhi e cilëson një tjetër provë se biseda ishte një shantazh.

“Heshtja e Edi Ramës ndaj këtij akti kriminal është pohim i asaj që beson sot shumica e shqiptarëve se ai është urdhëruesi i aktit mafioz për shantazhimin e gjyqtarit në Strasburg dhe se kërcënimi, kapja politike, blerja e korruptimi është modeli i drejtësisë së re që po instalon Edi Rama. Audio regjistrimi është prova më diskredituese për Edi Ramën se, pasi u hoqi shqiptarëve të drejtën për t’u ankuar me nxjerrjen jashtë funksionit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, me mënyra mafioze, po u heq të drejtën pronarëve për t’u gjykuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe për të rifituar pronën e grabitur nga qeveria”, theksoi Bardhi.

Ndërkohë pas publikimit të audiopërgjimit, Prokuroria e Tiranës po kryen verifikimet për rastin. Burimet i thane ABC News se pas qartësimit të situatës do të vlerësohet nëse ka vend për nisje të procedimit penal./abcnews.al