Më 17 shkurt është parashikuar të luhet një ndeshje simbolike mes Shqipërisë e Kosovës në formë festimi të përvjetorit të 13-të të Pavarësisë së Kosovës.
Legjendat e futbollit të dy vendeve vëllezër do zbresin edhe njëherë në fushë për të zhvilluar këtë ndeshje simbolike. Kjo sfidë ishte parashikuar të zhvillohej në “Fadil Vokrri”, por FFK bën me dije ndryshimin e stadiumit.
Kushtet atmosferike e kanë detyruar federatën dardane të ndryshojë stadiumin, ku do organizohet kjo ndeshje. Vendi i organizimit të kësaj ndeshje do të jetë stadiumi i skuadrës 2 korriku.
“Njoftim për ndryshim të lokacionit për ndeshjen e Veteranëve. Të nderuar përfaqësues të mediave, ju njoftojmë se ndeshja e datës 16.02.2021 (ditë e martë) ndërmjet veteranëve të Kosovës dhe Shqipërisë, e paraparë të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, për shkak të kushteve atmosferike është zhvendosur në stadiumin e KF 2 Korriku.
Orari i ndeshjes mbetet i njëjtë, pra në orën 12:00. Kjo ndeshje zhvillohet për nder të 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Pjesëmarrës në këtë ndeshje do të jenë yjet e futbollit shqiptarë si: Erjon Bogdani, Blendi Nallbani, Altin Lala, Alban Bushi, Geri Cipi, Ahmet Beselica, Eroll Salihu, Muharrem Sahiti, Isa Sadriu, etj.
Ju ftojmë që ta ndiqni këtë aktivitet dhe njëkohësisht për shkak të pandemisë, ju kërkojmë që t’i respektoni rregullat e parapara nga IKSHPK”, shkruhet në njoftimin e FFK. /abcnews.al