Interi më në fund në krye të Serie A. Zikaltrit shfrytëzuan humbjen e Milanit përballë Spezias dhe ia dolën të thyenin 3-1 Lazion, një kundërshtar që vinte prej gjashtë fitoresh radhazi në kampionat.
Lukaku (2x) dhe Lautaro Martinez shënuan golat e fitores për ekipin e Antonio Contes, që kryeson kampionatin italian me 50 pikë, një më shumë se kuqezinjtë e Piolit.
Java e ardhshme sjelle derbin e Milanos, teksa pas ndeshjes për mediat foli Milan Skriniar, qendërmbrojtësi sllovak, i cili tha këto fjalë: “Lazio ka një ekip shumë të mirë, e dinim se çfarë na priste sonte.
Jemi të kënaqur për fitoren 3-1, na vjen keq vetëm për golin që pësuam. Kishim mundësi për të shënuar edhe gola të tjera, por po japim sinjale të rëndësishme.
Vendi i parë në kampionat? Duhet të punojmë për të mos e lëshuar. Jemi të lumtur dhe është momenti të shijojmë këtë fitore. Prej nesër do të mendojmë për derbin“, theksoi Skriniar. /abcnews.al