VOA: Vaksinimi i ngadaltë, dhimbje politike për BE-në

schedule16:31 - 11 Shkurt, 2021

schedule 16:31 - 11 Shkurt, 2021

Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian i doli në mbrojtje strategjisë së vaksinimit për koronavirusin që po ndjek blloku prej 27 anëtarësh, përballë kritikave në rritje për vonesa në prodhimin dhe shpërndarjen e dozave.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian po përballet me kriza në disa fronte.

105-vjeçarja Elisabeth Steubesand shkon për t’u vaksinuar në Këln të Gjermanisë thotë se vaksinimi është gjë shumë.

“Uroj, edhe pse jam e moshuar, që shumë e shumë njerëz ta bëjnë atë,” thotë zonja Steubesand.

Shumë njerëz kërkojnë të vaksinohen, por në Bashkimin Evropian ka mungesa furnizimi. Fillimi i ngadaltë po shkakton dhimbje politike për BE-në.

Deri në javën e parë të shkurtit, Bashkimi Evrooian kishte shpërndarë dozat e para vetëm për më pak se 4 për qind të popullsisë së tij, krahasuar me 11 për qind në SHBA dhe 17 për qind në Britani.

“Ju mund të thoni se Komisioni Evropian nuk i bëri si duhet negociatat e kontratatave me kompanitë farmaceutike, krahasuar me Britaninë dhe Amerikën. Por kur bëhet fjalë për miratimin, ky ishte një vendim i vetëdijshëm. Ata e dinin se gjërat do të lëviznin ngadalë. Ka pasur edhe probleme të tjera të shpërndarjes nga ana e kompanive të ndryshme,” thotë Matt Bevington në Kings College të Londrës.

Brukseli ka vendosur kontrolle eksporti në mënyrë që kompanitë që prodhojnë vaksina në Evropë të përmbushin kontratat me BE-në para se t’i dërgojnë jashtë.

Duke folur me ligjvënësit të mërkurën, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen pranoi se ishin bërë gabime.

“Ne u treguam të vonuar për autorizimet. Treguam optimizëm të tepruar kur bëhej fjalë për prodhimin masiv dhe ndoshta siguri të tepruar se ajo që porositëm do të dorëzohej në kohë,” tha zonja Von der Leyen.

Megjithatë ajo i doli në mbrojtje strategjisë së Bashkimit Evropian:

“Ishte gjëja e duhur që ne si evropianë e porositëm vaksinën kolektivisht. As mund ta imagjinoj që lojtarët e mëdhenj, vendet e mëdha anëtare të porositnin të parët dhe të tjerët të kishin mbetur duarbosh. Çfarë mesazhi do të kishte dhënë kjo për tregun tonë evropian dhe unitetin e Evropës?”

Për vendet më të vogla anëtare të BE-së, prokurimi i përbashkët ka funksionuar, thotë profesor Bevington.

“Nëse vendet do të fillonin të ziheshin se kush t’i merrte vaksinat i pari, disa shtete anëtare do të kishin përfunduar me shumë vaksina, ndërsa të tjerët pa asnjë dozë. Kjo do të kishte sjellë shumë konflikte brenda Bashkimit Evropian,” thotë Matt Bevington në Kings College të Londrës.

Konflikti mund të jetë shmangur, por kritikat ndaj Komisionit Evropian po bëhen më të forta. Kërcënimi i BE-së për të bllokuar eksportet e vaksinave për në Irlandën e Veriut, u prit me kritika nga Londra dhe Dublini.

Ndërkohë, ka patur edhe një krizë tjetër: shefi i politikës së jashtme të bllokut Josep Borrell është kritikuar për vizitën e tij në Moskë fundjavën e kaluar, e cila u ndërmor me gjithë këshillën e shumë zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Ndërsa zoti Borrell dhe homologu i tij rus Sergei Lavrov po fillonin një konferencë shtypi në Moskë, Rusia dëboi tre diplomatë evropianë. Ky hap u pa gjerësisht si një përpjekje për të poshtëruar BE-në, për mbështetjen e saj ndaj udhëheqësit të burgosur të opozitës, Aleksej Navalni.

Zoti Borrell u kritikua ashpër kur u përball me ligjvënësit evropianë këtë javë.

“Ju vendosët të shkonit atje dhe ratë në kurthin e përgatitur me kujdes nga Sergei Lavrov,” tha Anna Fotyga, anëtare polake e Parlamentit Evropian.

Analistët thonë se këto polemika brenda BE-së ka të ngjarë të shuhen, nëse programi i vaksinimit ecën me shpejtësi, por çdo vonesë e mëtejshme mund të shkaktojë dëme që nuk riparohen lehtë në sytë e qytetarëve të bllokut./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!