Joe Biden vendos sanksione ndaj udhëheqësve ushtarakë të Mianmarit

schedule22:47 - 10 Shkurt, 2021

schedule 22:47 - 10 Shkurt, 2021

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka miratuar urdhrin ekzekutiv që parasheh sanksione kundër pjesëtarëve të ushtrisë së Mianmarit, për shkak të grusht shtetit të cilin SHBA-ja e ka dënuar. Biden u bëri thirrje gjeneralëve të Mianmarit të heqin dorë nga pushteti dhe të tregojnë respekt për vullnetin e popullit të Birmanisë.

Ai bëri thirrje për lirimin e udhëheqësve politikë të arrestuar gjatë grusht shtetit. Sanksionet do të shënjestrojnë interesat dhe familjet e ngushta të udhëheqësve të ushtrisë.

Duke paralajmërua marrjen e më shumë masave ndaj tyre, Biden tha se gjeneralët nuk do të kenë qasje në 1 miliardë dollar pasuri në Shtetet e Bashkuara.

Më 1 shkurt, ushtria mori pushtetin në vendin e Azisë Juglindore, ku u arrestua udhëheqësja  politike, Aung San Suu Kyi dhe qindra ligjvënës të tjerë.

Pas këtij veprimi, udhëheqësit e grushtit të shtetit kanë formuar një Këshill Suprem i cili do të zëvëndësojë kabinetin qeverisës.

Marrja e pushtetit nga ana e ushtrisë erdhi pas akuzave për manipulime në zgjedhje nga ana e partisë Lidhja Kombëtare të Demokracisë (NLD), të cilën e udhëheq Aung San Suu Kyi. Këto pretendime janë kundërshtuar nga Komisioni i Zgjedhjeve. Pas kësaj ngjarje, në Mianmar shpërthyen protestat kundër grushtit të shtetit.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!