Pas disa orësh operacion nga Forcat e Ushtrisë dhe ato Zjarrfikëse, është vënë nën kontroll zjarri në pyllin e Semanit në Fier. Besohet që nga momenti kur ra zjarri mesditën e së enjtes e deri në orët e pasdites së kësaj të premteje janë djegur 20 hektarë me pisha dhe shkurre.
Por megjithatë forcat vazhdojnë të qëndrojnë në terren për të shuar plotësisht vatrat.
Ato u rikativizuan mëngjesin e sotëm dhe për këtë u angazhuan 40 forca të Ushtrisë përveç zjarrfikësve që kishin mbërritur jo vetëm nga Bashkia e Fierit, por edhe nga bashkitë Patos dhe Ballsh.
Sipas drejtuesve të operacionit nga puna e bërë deri tani, zjarri nuk mund të përhapet në sipërfaqe më të gjerë, pasi flakët janë lokalizuar. Por do të vazhdojë puna për të shuar plotësisht vatrat me qëllim që të mos rikativizohen.
“Aktualisht ekzistojnë disa vatra të vogla. Kemi punuar me sistemin e ujit dhe me lopata duke bërë izolimin e vatrave. Sot ka ardhur në ndihmë edhe reparti ushtarak i Poshnjes. Po punojmë me të tëra kapacitetet që të bëjmë të mundur përfundimin e zjarrit, që mos të jetë i vazhdueshëm në vazhdimësi”, tha ndërkohë Zija Hyka, komandant i zjarrfikësve Fier.
/abcnews.al