Pasojat e shkaktuara nga tërmeti i datës 11 gusht i cili ka lënë pa strehë shumë familje të qarkut Dibër, ishin qëllimi i takimit informues të kryetarit të Bashkisë Mat, ku pjesmarrës ishin edhe deputetët demokratë të kësaj zone. Sipas këtyre të fundit, përpos punës së kryer nga pushteti vendor edhe ai qëndron duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë.
Deputetet e Partisë Demokratike të qarkut Diber morën pjesë në takimin informues që kryebashkiaku i Matit, Nezir Rizvani zhvilloi mbi monitorimin e situatës së krijuar në zonë nga termeti i 11 gushtit. Gjatë diskutimit, ky i fundit njoftoi pamundësinë e pushtetit vendor për përballimin e këtyre situatave.
Nezir Rizvani, Kryetari i Bashkisë Mat: “Fatmirësisht nuk kishte dëme në njerëz, ndërsa dëme në banesa ka patur. Pas verifikimit të parë në terren të grupeve të verifikimit, ka dhe grupe vlerësimi sepse e tillë është procedura. Buxheti i Bashkisë së Matit e ka të pamundur të përballojë raste të tilla, raste të emergjencave civile sepse fondet ne dispozicion të bashkive të pushtetit vendor janë pothuajse krejt minimale”.
Për deputeten Dhurata Çupi situata duhet shpjeguar qarte për qytetarët e prekur sa i përket pergjegjesive, pasi ligji për emergjencat e përcakton qartë çfarë i takon qeverisë dhe çfarë pushtetit vendor.
Deputetja e qarkut Dibër, Dhurata Çupi: “Kjo nuk është një shembje ure kjo nuk është një prishje rruge që janë kompetenca të pushtetit vendor. Kjo është një fatkeqësi natyrore me të cilat nuk merret pushtetit vendor për buxhetin. Nuk ka kapacitet pushteti vendor të përballojë 300 familje të cilat sot janë në kushtet e mosqendresës në banesat e tyre.”
Pas takimit, deputët inspektuan zonat e prekura nga tërmeti në Derjan e Macukull ku edhe biseduan me banorët sipas të cilëve, vizita e përfaqësuesve të qeverisë në familjet e prekura ishte selektive.
Banorja: “Këta të bashkisë dhe komunës kanë ardhë. Për Zotin qeveria është ndarë me krahe. Olta Xhaçka kaloi dje s’erdhi ktej nga ne fare. Pardje shkoi kënd më kënd dhe këtu s’erdhi”.
Demokrati Xhemal Gjunkshi i bëri apel qeverisë për ndihmë ndaj banorëve.
Xhemal Gjunkshi: “Pavarësisht punës së komisioneve, unë do kërkoja që edhe pushteti qendror të japë ndihmën duke rrit kapacitetet për të shkurtuar afatin e vlerësimit të këtyre objekteve”.
309 janë banesat e dëmtuara nga tërmeti dhe kjo për Gjunkshin është tregues për situatë gadishmërie./abcnews.al