Këshilli i Paqes, i krijuar me iniciativën e Presidentit amerikan Donald Trump, i ka bërë thirrje Izraelit të ndërmarrë masa të menjëhershme për të përballuar emergjencën humanitare në Rripin e Gazës, pas reshjeve të dendura të shiut që kanë përmbytur dhjetëra mijëra tenda ku strehohen palestinezët e zhvendosur.
Situata është përkeqësuar ndjeshëm që nga fundi i javës së kaluar, ndërsa të paktën pesë persona, mes tyre tre fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e kushteve të vështira atmosferike.
Në një reagim në rrjetin social X, Këshilli i Paqes paralajmëroi se situata përbën një emergjencë të menjëhershme humanitare, veçanërisht me afrimin e dimrit. Ai i kërkoi qeverisë izraelite të lejojë hyrjen e materialeve për strehim të përkohshëm, si dhe pajisjeve të nevojshme për furnizimin me ujë dhe funksionimin e sistemeve të kanalizimeve.
Edhe pse Këshilli pranoi se autoritetet izraelite po shqyrtojnë disa masa për përgatitjen e dimrit në Gaza, theksoi se reagimi deri më tani mbetet i pamjaftueshëm.
Nga ana tjetër, agjencia izraelite Cogat deklaroi se ka hartuar një plan për përgatitjen dimërore në koordinim me OKB-në dhe Këshillin e Paqes. Sipas saj, në Gaza kanë hyrë më shumë se 91 mijë tenda dhe 8,200 kamionë me furnizime dimërore dhe vaksina.
Ndërkohë, UNICEF ka ngritur alarmin për rrezikun e përmbytjeve dhe përhapjes së sëmundjeve infektive. Organizata paralajmëron se Izraeli ka penguar hyrjen e pajisjeve të nevojshme për riparimin e një rezervuari uji në qytetin e Gazës, i cili rrezikon të derdhet pas reshjeve të dendura.
James Elder, përfaqësues i UNICEF-it, tha se ujërat e zeza mund të përmbytin rrugët dhe strehimet e improvizuara, duke i detyruar familjet dhe fëmijët të largohen sërish nga tendat e tyre. Ai paralajmëroi se kjo situatë rrit ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve dhe humbjeve të tjera të jetëve.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi për rrezik të konsiderueshëm të përhapjes së sëmundjeve infektive, për shkak të përmbytjeve, kushteve të dobëta sanitare dhe mungesës së shërbimeve shëndetësore e të ujit.
Sipas OBSH-së, afro një milion palestinezë të zhvendosur në enklavë përballen me rrezik mesatar deri të lartë nga përmbytjet, ndërsa organizatat humanitare kërkojnë ndërhyrje urgjente për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të krizës në Gaza.


