Transformohet i gjithë blloku i banimit në Allias

schedule13:16 - 24 Gusht, 2018

schedule 13:16 - 24 Gusht, 2018

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj thotë se i takon banorët e zonës së Alliasit me një premtim të mbajtur. Blloku i banimit të tyre po transformohet. 

Ky bllok banimi prej 58 hektaresh përreth rrugës “Njazi Meka” në njësinë administrative numër katër në Tiranë po ndryshon pamje. Bashkia po përfundon rikualifikimin urban të lagjes.

“Më vjen mirë sot që një lagje e cila ka banorë që në 30 vitet e fundit kanë ardhur për të kërkuar një jetë më të mirë në Tiranë, sot realisht kanë marrë jetën që kanë kërkuar. Pra duke vënë këtë infrastrukturë, me rrugët, me trotuaret për fëmijët, me ndriçimin, me ujësjellësin e gjithë kanalizimet, kemi sjellë realisht të njëjtin standard tek Bregu i Lumit, që është edhe në lagjet e tjera të Tiranës. Sigurisht që ka ende shumë punë për të bërë. Sot kemi prekur 5 blloqe masive, 32 rrugë. Ka plot të tjera për të bërë por më vjen mirë që e kemi mbajtur këtë premtim, ende pa mbaruar mandatin në Bashki. Kemi qenë këtu dhe e kemi premtuar këtë bllok në fushatë dhe pas 3 vitesh, lagjja nuk dallohet më”.

Sipas kryebashkiakut investimi i ka rritur vlerën të gjitha pronave në këtë zonë.

“Sigurisht, kur erdhëm në fillim, njerëzit ankoheshin për infrastrukturën përreth shtëpive, sot krenohen për infrastrukturën përreth vilave. Janë të njëjtat ndërtesa po ndryshoi fjala nga shtëpi në vilë, për faktin që edhe ulja e mureve, edhe estetika, edhe lejimi i trotuarit, një bashkëpunim model. “

Kryetari i Bashkisë falenderoi banorët për bashkëpunimin e treguar për t’i hapur rrugë një projekti me standarde. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!