Emigrantët e bllokuar në Siçili, Italia ultimatum 24 orësh BE-së

schedule22:43 - 23 Gusht, 2018

schedule 22:43 - 23 Gusht, 2018

Italia i jep 24 orë kohë Europës që të gjejë një zgjidhje për 177 emigrantët që qëndrojnë prej një jave në portin e Katanias. Në të kundërt, thotë zëvendëskryeministri Di Maio, Italia nuk do paguajë kuotën e vet prej 20 miliardë eurosh për buxhetin e Bashkimit Europian.

Të enjten në mbrëmje, zëvendëskryeministri Italian Luigi di Maio i ka dhënë 24 orë kohë Komisionit Europian, për arritjen e një marrëveshje mbi shpërndarjen e emigrantëve të bllokuar në bordin e një anijeje të Rojes Bregdetare italiane në portin e Katanias në Sicili.

Nëse Brukseli nuk gjen zgjidhje, ka thënë ai, Lëvizja e tij 5 yjet, që qeveris Italinë në koalicion me Legën e të djathtës ekstreme, do të pezullojë kontributin italian prej 20 miliardë eurosh, në buxhetin e BE, që prej vitit të ardhshëm.

Qeveria italiane u kërkoi të mërkurën partnerëve europiane të mikprisnin një pjesë të 177 emigrantëve, që u shpëtuan javën e kaluar në det e që presin në bordin e anijes Diciotti. Mjeti i Rojes Bregdetare italiane u autorizua të qëndronte në portin e Katanias, por përveç 27 minorenëve, pasagjerët e tjerë nuk kanë të drejtë të zbresin nga anija.

Komisioni Europian deklaroi se po punonte për një zgjidhje të ngjashme me atë që u gjet javën e kaluar me Maltën për emigrantët e anijes Akuarius. Malta pranoi ta priste anijen humanitare e nxitur nga organizata SOS Mesdheu, sipas marrëveshjes europiane që parashikon shpërndarjen e pjesës më të madhe të 141 emigrantëve në bord tek pesë vende europiane, mes të cilave Franca e Spanja.

Ndërkohë prej mëngjesit të të enjtes ka tension në molin Levante të Katanias, pasi ka një organizim qytetar në mbështetje të emigrantëve. Protestuesit janë përpjekur t’i afrohen anijes Diciotti, por janë bllokuar nga forcat e policisë. Madje kanë tentuar t’i afrohen anijes edhe me një gomone me një flamur ku shkruhej “të hapur për refugjatët”.

Në mbrëmje një grup protestuesish tentoi të cante kordonin rrethues, por sërish u bllokuan nga forcat e policisë. Një grup manifestuesish u shtrinë në tokë për të penguar kalimin e një furgoni të policisë në zonën e sigurisë. Lëvizjes që shpreh solidaritet për emigrantët e bllokuar në anijen Diciotti prej një jave mbështetet iu bashkuan edhe dy parlamentarë opozitarë të majtë, që i kërkuan Salvinit të lejonte që emigrantët të zbresin nga anij,a deri sa BE të gjejë një zgjidhje./abcnews.al