Si mesazhet në celular përkeqësojnë stresin pandemik

schedule12:32 - 8 Shkurt, 2021

schedule 12:32 - 8 Shkurt, 2021

Nga Bryan Lufkin – BBC

Kur vendi u mbyll në mars të 2020, për shkak të pandemisë, bisedat në grupe të ndryshme ishin shpëtimi ynë. Biseda me miqtë, kolegët, apo me të afërmit më ndihmuan që të qëndroja i lidhur me botën. Ne qeshëm me meme, qetësuam njëri-tjetrin dhe kontrolluam njëri-tjetrin.

Por, ndërsa pandemia vazhdon, bisedat në grupe filluan të bëheshin të mërzitshme dhe më jepnin shumë stres. Telefoni im tashmë merr shumë njoftime për lajmet dhe shumë mesazhe brenda një minute, kur në një kohë normale, mund t’i merrja brenda një ore ose më shumë. Humbja shumë mesazhe dhe as nuk dija si të justifikohesha. çfarë t’u thosha: “Më vjen keq që i humba mesazhet tuaja, isha shumë i zënë duke qëndruar në shtëpi, duke mos bërë asgjë, për të 8 muaj radhazi”?

Mesazhet e grupeve gjithmonë kanë shkaktuar ankth te disa njerëz, madje dhe para pandemisë. Por, si dikush që i donte ato para pandemisë, është për t’u habitur që në epokën e distancimit social, është e mundur të vuash nga ngarkesa shoqërore.

Nëse ata na japin ngushëllim dhe lidhje me krizën, pse disa prej nesh ndihen të stresuar dhe të mbingarkuar prej tyre?

Borxhi i komunikimit

Mbyllja do të thotë që shumë më tepër prej nesh po përdorin aplikacione mesazhesh. Mesazhet me tekst janë rastësore, të menjëhershme dhe hulumtimet tregojnë se na pëlqejnë më shumë sesa postat elektronike. Nga fundi i marsit, për shembull, WhatsApp kishte raportuar një rritje prej 40% të numrit të përdoruesve. Një studim në shtator i më shumë se 1,300 të rriturve amerikanë tregoi se përdorimi i komunikimeve digjitale të të gjitha llojeve u rrit gjatë Covid-it, dhe mesazhet me tekst kryesonin me një kërcim prej 43%.

Jemi me fat që kemi këtë lloj teknologjie. Pa Zoom, Slack dhe WhatsApp, pandemia do të ishte një përvojë shumë e vetmuar dhe e trishtë. Por platformat e bisedave në grupe vijnë drejtpërdrejtë dhe  me një intimitet që mund ta bëjnë pjesëmarrjen në to të ndihet stresuese.

“Një arsye që ata na stresojnë është dëshira e integruar për të lexuar një mesazh në kohë reale, dhe gjithashtu pritet një përgjigje në kohë reale” thotë Elias Aboujaoude, një psikiatër në Universitetin Stanford në Kaliforni, i specializuar në ndërmjetësimin e teknologjisë dhe psikologjisë. Mos përgjigja e menjëhershme na shqetëson dhe kjo na jep një ndjesi të rënies pasi është thyer rregulli kryesor i komunikimit në internet.

Për më tepër, kur mbeteni prapa në një bisedë në grup, një numër i madh mesazhesh të humbura mund të grumbullohen shpejt. Pastaj, leximi i tyre bëhet i vështirë dhe gjërat fillojnë të ngatërrohen. Kjo krijon një “borxh të frikshëm komunikimi duke pasur mesazhe asinkrone”, thotë Bernie Hogan, bashkëpunëtor i lartë i kërkimit në Institutin e Internetit të Universitetit të Oksfordit.

Para pandemisë, ne mund të përdorim justifikimin e mos pasjes së kohës së lirë për të sqaruar mungesën e përgjigjes së mesazheve. Nëse ndiheshe i lodhur apo nuk kishe dëshirë të përgjigjeshe, mungesa e kohës ishte një justifikim perfekt. Por tani që mundësitë për aktivitete shoqërore janë kufizuar kaq shumë, dhe bisedat po luajnë një rol më të madh nga jetët tona. Ne mendojmë se duhet t’i vlerësojmë këto ndërveprime, megjithatë ato po vijnë me një ritëm shumë më të shpejtë dhe vëllim më të lartë sesa kemi mësuar.

“Përgjigja Pavloviane” e ankthit

Nuk janë vetëm bisedat në grup, por vetë teknologjia. Ne e dinim dhe para pandemisë se qëndrimi para celularit apo kompjuterit për një kohë të gjatë është e dëmshme për shëndetin tonë. Në varësi të teknologjisë për të gjitha nevojat tona të komunikimit shoqëror mund të shtojnë ngarkesën tonë njohëse, diçka tashmë nën presion të shtuar në pandemi.

“Secila bisedë në grup mund të ketë regjistrin e vet emocional. Kalimi midis këtyre ka një kosto psikologjike si nga ana intelektuale ashtu edhe mendore”, thotë Hogan, veçanërisht pasi ne gjithashtu hidhemi mes platformave të mesazheve.

Pastaj është fakti që disa prej nesh po përjetojnë stres nga të gjitha lajmet e pandemisë demoralizuese. Megjithëse në fillim ne mund të kemi mirëpritur artikujt që miqtë tanë ndanin, ndërsa përpiqeshim të kuptonim ndikimet e Covid-19, më pas filluam të trembeshim nga rryma e përditësimeve që nxisin ankth.

“Në fillim të pandemisë, bisedat në grup mund të jenë ndjerë si një mënyrë e mirë për të folur me shumë njerëz njëkohësisht. Ju mund të mbështeteni tek të gjithë në grup që kanë këtë përvojë të përbashkët stresuese. Problemi është se stresi dhe ankthi që vijnë nga mesazhet e një pas njëshme zmadhohet në mënyrë eksponeciale në bisedat në grup”, thotë Aboujaoude.

Përveç kësaj, janë dhe njoftimet që na stresojnë, pasi celulari ynë ndizet ose dridhet pas çdo mesazhi që vjen.

“Edhe nëse keni aftësinë të dalloni ‘bip’ dhe alarme të ndryshme, në këtë pikë, është pothuajse si një përgjigje Pavloviane, ku është vetëm ajo ‘bip’ që shkakton ankthin”, thotë Vaile Wright, drejtore e lartë i inovacionit të kujdesit shëndetësor në Shoqata Amerikane e Psikologjisë. “Kjo do të thotë që diçka e tmerrshme ka ndodhur, edhe nëse nuk është e tmerrshme”.

Përjashtimi

Nëse ndiheni të mbingarkuar nga angazhimi juaj në bisedat në grup, ekspertët thonë se ka mënyra për të kombinuar vlerësimin e këtyre lidhjeve të rëndësishme me periudhat në të cilat shkëputeni.

“Në të vërtetë nuk keni nevojë të justifikoheni pse nuk i dërgoni mesazhe apo nuk i përgjigjeni dikujt, menjëherë”, thotë Wright, duke shtuar se duhet të bëjmë gjëra brenda kontrollit tonë për të ruajtur mirëqenien mendore. Ajo thotë se ndjenjat e disa njerëzve mund të lëndohen, por vendosja e kufijve është thelbësore.

Bisedat në grup janë të shkëlqyera për përditësime të shpejta ose ndarjen e memeve, por mediumi nuk jep vërtet mbështetjen për të ndarë aspekte të rëndësishme të jetës sonë, duke siguruar mbështetje emocionale, duke ndarë një të qeshur ose një emocion pozitiv. Thirrjet telefonike ofrojnë më shumë mundësi për t’u lidhur me të vërtetë në një nivel emocional.

Hulumtimet kanë treguar se komunikimi zë me zë, në krahasim me komunikimin vizual vetëm, si dërgimi i mesazheve, rrit empatinë dhe aftësinë tuaj për t’u akorduar në emocionet e personit tjetër, duke lejuar një lidhje më të thellë.

Pra, nëse vërtet dëshironi të flisni, merrni telefonin dhe flisni. Dhe nëse keni nevojë t’u tregoni miqve tuaj se jeni duke anashkaluar bisedën në grup, ka shumë mundësi që të të kuptojnë. “Një marrëdhënie solide do t’i rezistojë ndarjes digjiitale“, thotë Aboujaoude./Përshtatur nga BBC, e.b-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!