Napoli nuk ia doli të merrte asnjë pikë nga përballja jashtë fushe me Genoan. Ekipi i Gattusos humbi 2-1, në një sfidë që u vendos nga dy gola të Goran Pandev dhe shumë gabime në prapavijë.
Kalidou Koulibaly mungoi për shkak të infektimit me Covid-19, por trajneri Gattuso nuk e preferoi sërish titullar Amir Rrahmanin (u fut në fushë në 69′). Kapiteni i Kosovës në stol, ashtu si edhe Elseid Hysaj.
Napoli bëri gjithçka gabim në mbrojtje dhe “veterani” maqedonas shënoi dy gola brenda 15 minutave. Skuadra mike reagoi shumë vonë. Matteo Politano dërgoi topin në rrjetë në minutën e 79-të.
Napoli u hodh në sulm në kërkim të barazimit, por Genoa u mbrojt shumë mirë dhe siguroi fitoren, e treta radhazi në kampionatin italian. /abcnews.al