Ekspertiza zyrtare: Zjarri në Çerdhen nr.14 ishte i qëllimshëm

schedule13:14 - 23 Gusht, 2018

schedule 13:14 - 23 Gusht, 2018

Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri ka publikuar ekspertizën zyrtare të shpërthimit të një gazi në magazinën e Çerdhes nr. 14 në Tiranë. Sipas ekspertëve, zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe i shkaktuar nga faktorë të jashtëm.

Shpërthimi i ndodhur pas një rrjedhjeje gazi në një ambient ngjitur me godinën e çerdhes nr.14 në Tiranë nuk ka qenë rastësor. Gazi është ndezur në mënyrë të qëllimshme. Në këtë përfundim kanë dalë ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri, pas përfundimit të akt-ekspertizës për rastin.
Sipas ekspertëve të DPMZ-së, në vendin e ngjarjes është konstatuar se rregullatori i një bombole gazi që ndodhej në magazinën e çerdhes dhe tubi i gazit ishin shkëputur nga bombola. Për rrjedhojë, ambienti që ndahej vetëm nga një mur me kuzhinën e çedhes është mbingopur me gaz.

Ndërsa ndezja e gazit është shkaktuar pas kontaktit me flakën e krijuar nga djegia e disa kutive kartoni, të gjetura poshtë dritares. Në vendngjarje është vënë re se xhami i dritares së magazinës së çerdhes ku ndodhej bombola ishte thyer dhe se poshtë saj ishte vendosur një shkallë druri. “Provat dhe faktet e mbledhura nga ekspertët e Drejtorisë së MZSH-së çojnë në përfundimin se zjarri në çerdhen nr.14 ka qenë i qëllimshëm dhe i shkaktuar nga faktorë të jashtëm”, thuhej në akt-ekspertizë.
Akt-ekspertimi i është përcjellë Prokurorisë së Tiranës, e cila po vijon hetimet për identifikimin e personave përgjegjës për shpërthimin në çerdhe.
Shpërthimi pranë Çerdhes nr.14 ndodhi në orën 04:57 të 16 gushtit, kohë kur në institucion nuk kishte njerëz. Fatmirësisht ai dëmtoi vetëm magazinën, pa cënuar godinën e çerdhes./abcnews.al