Vrasje me armë zjarri në Vlorë. Ndërron jetë në spital 40-vjeçari që u qëllua mbrëmjen e sotme në qytetin bregdetar. Viktima është Gentjan Qarri.
Policia njofton se ishte ora rreth 18:16 kur ai u qëllua në rrethana ende të paqarta në lagjen “29 Nëntori”, në afërsi të Bibliotekës. 40-vjeçari ishte duke ecur në këmbë në momentin që u qëllua nga një makinë në lëvizje, raporton gazetari i ABC, Elton Nikaj.
Pavarësisht se u dërgua me shpejtësi në spital, 40-vjeçari ndërroi jetë. Shërbimet e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje ku është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative me qëllim kapjen e autorit.
Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do t’i shërbej zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve.