Ish-kryeministri Fatos Nano, njëherësh dhe ish-kreu i Partisë Socialiste në një rrëfim të rrallë në emisionin “Opinion” ka treguar se si ka lindur bashkëpunimi me Edi Ramën dhe ftesën që i kishte bërë këtij të fundit për ta kthyer nga Parisi.
Nano ka treguar se me Ramën ishte takuar në Paris në vitin 1998 dhe i kishte bërë ftesë për ta bërë ministër Kulture, por ishte refuzuar.
Më tej në rrëfimin e tij ish-kreu i qeverisë thotë se pas vdekjes së Kristaq Ramës, babait të Edi Ramës, ky i fundit i kishte shkuar në zyrë dhe i kishte thënë se donte që të ishte pjesë e qeverisë dhe këtu nisi karriera politike e Kryeministrit.
Gazetari: Përse vendosët ta thërrisnit Edi Ramën në qeverinë e 1998 kur nuk kishte ndonjë karrierë politike kur njihej si një njeri problematik, polemist dhe a jeni penduar më pas për këtë?
Fatos Nano: Shumica e pjesëmarrësve të rinj në politike nuk kishin përvojë politike.
Gazetari: Por në vitin 1998 kishin krijuar një eksperiencë gjithsesi.
Fatos Nano: Nëse mund të quajmë një vit e pak. Kështu nga kjo pikëpamje Rama nuk mund të stononte. E dyta unë kisha arritur të flas me Edin kur kisha qenë në Paris. U takuam natyrshëm.
Gazetari:Në atë kohë nuk kishit idenë për ta ftuar ..
Fatos Nano: Një minutë. Atëherë e ftova, kaluam një natë të gjatë duke bredhur rrugëve të Parisit, se u mbyllën lokalet. Ai ishte i shoqëruar me partneren e tij, dhe njëlloj siç thamë për Pashkon, ajo i thoshte “dëgjoje ka të drejtë”. Unë e ftoja dhe ai hezitonte. Arsyeja ishte njerëzore. Unë kisha nevojë për një rebel në rrethin politik të socialiste. Një njeri me ide novatore dhe të provokonte mendimin e ndenjur të trashëguar. Isha i sinqertë në këtë ftesë.
Gazetari: Po ai pse hezitonte?
Fatos Nano: Ai hezitonte se nuk ishte shkëputur nga jeta e emigracionit, nga projektet artistike, nga shoqëria që kishte krijuar. Nuk ishte gati që shkëputej dhe kishte frikë nga politika pasi ishte zhgënjyer njëherë që nga themelimi i PD. Pra nuk formulonte argumente kundër, por dukej nuk kishte dëshirë që të merrej me politikë. Si duket vdekja e Kristaqit bëri një kapërcim në arsyetimin e tij.
Gazetari: Ju ia përsëritët sërish ftesën?
Fatos Nano: Jo erdhi direkt në zyrën time. Erdhi pasi ishte varrosur Kristaqi, atë ditë apo të nesërmen. Dhe erdhi për koincidencë kur unë po mbyllja ndryshimet në qeveri, në Prill të vitit 1998. Për koincidencë sapo kisha nxjerrë nga zyra Luan Ramën që do e emëroja ministër Kulture.
Gazetari: Pra kishit larguar Arta Daden dhe kishit emëruar Luan Ramën ministër të Kulturës?
Fatos Nano: Ekzakt.
Gazetari: Dhe në këtë kohë hyri Edi Rama.
Fatos Nano: Doli një Ram dhe hyri një Ram. Rama që doli dhe unë që isha brenda nuk e dinim çfarë interesi kishte Rama që hyri, por ai thotë që jam gati të bëhem ministër Kulture.
Gazetari: Ju kthyer dhe njëherë Ramën e parë dhe i thatë që…
Fatos Nano: Lajmërova sekretaren kape Luanin mos e lë të ikë. E takova në paradhomë dhe i them më lerë të zbatoj një projekt më ambicioz se ky që kishim. U ktheva brenda dhe i thash dakord, je ministër Kulture. Dhe këtu filloi rrugëtim i gjatë dhe ende i pandërprerë i Ramës në politikë.
Gazetari: Jeni penduar për këtë?
Fatos Nano: Nuk jam penduar sepse në tërësinë e vet, Rama ka dhënë një produkt shumë të vlefshëm në politikë. Pra nuk mund ta gjykojmë periudhën si ministër kulture apo si kryetar bashkie. Do qa gjykojmë si kryetar opozite dikur dhe si Kryeministër me dy mandate.
Ish-kryeministri Fatos Nano për Presidenti Ilir Meta shprehet se është një njeri që i lë punët në mes dhe të vë stërkembëshat. Në një intervistë të rrallë në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Nano tha se Metës i ka dhënë mbështetjen më të madhe, por ai gjithmonë e kishte tradhtuar.
Më tej ai thotë se Presidenti aktual është politikani që ai shikon si politikanin që shikon shtatë mëkatet e Biblës, si zilia, grykësia etj.
Gazetari: Një nga personazhet e tjerë që ka dalë, është një nga produktet tuaja, edhe pse ai ka pasur një karrierë të vetën, është Ilir Meta. Kur e pyet ai thotë se ka një raport normal me Fatos Nanon, në fakt çfarë raporti keni dhe si e gjykoni atë tani?
Fatos Nano: Ta nis nga fundi, nuk kam asnjë raport sot. As fizik asgjë.
Gazetari: As kontakte, as jepni dhe merrni mesazhe.
Fatos Nano: Fare. Dhe nuk më mungon.
Gazetari: Në ç’kuptim nuk iu mungon?
Fatos Nano: Sepse Ilir Meta është një nga përfituesit e mëdhenj të mbështetjes time.
Gazetari: Edhe të kontributit të tij se ka pasur një peshë jo të vogël në PS.
Fatos Nano: Unë thash nga ata që kam mbështetur, nuk është thash se është bërë vetëm nga mbështetja ime. Është një nga përfituesit më të mëdhenj. Qysh nga FRESSHI, nga qeveria e parë, Komiteti i Partisë të Tiranës, i dhashë degën e partisë së Tiranës të tregojë. Të gjithë thonin se është rivali i Nanos, por filozofia ime ishte të integroja dhe ata që mendonin ndryshe. E deri tek qeveria e fundit. Ilir Meta u bë kryeministër në 1999, pas një marrëveshje me mua. Dhe mbeti i tillë deri kur dha dorëheqjen 2002, sepse kemi Pandin që nuk të lë të gabosh se ai vjen mbrapa. Ai mendoi se bashkë me krizën energjetike do hante dhe kokën e Fatos Nanos. Pra sapo ishte marrë vesh që do të vazhdonte drejtimin e qeverisë, kur papritur më thotë ‘e deshe merre mbaje me gjithë krizë’. Kaloi sa kaloi dhe erdhi prapë tek zgjedhja e Moisiut. Në një mënyrë apo në një tjetër më afroi me Berishën dhe më afroi me Metën. Dhe bëmë marrëveshje për të hyrë bashkë në qeveri.
Gazetari: Pse u prishët sërish?
Fatos Nano: Meta ka pasur gjithmonë planin B në mendje. Ka qenë inaktiv, sikur nuk ekzistone në qeverinë e 2002-2005. Iku në 2003, nuk merrte pjesë në diskutime, ka folur vetëm njëherë kur blemë ambasadën tonë në Athinë.
Gazetari: Cili ishte plani B i Metës?
Fatos Nano: Plani B ishte ai paralajmërova që në fillim Ilirin, “Ti e ke zakon që të lë në mes të rrugës dhe të fut stërkembëshat”. Jo e kam seriozisht këtë herë më tha. Ky ka qenë plani B, që të ndërpriste punët e qeverisë në mes.
Gazetari: Po si President si e gjykoni.
Fatos Nano: Më lerë ta mbyll kapitullin e Ilir Metës, duke të thënë që nuk ka politikan tek i cili unë shoh pjesën më të madhe të mëkateve, të 7 mëkateve kapitale, është Presidenti i sotëm.
Gazetari: Është Presidenti i sotëm?
Fatos Nano: Të shtatë mëkateve të biblës, ligësia, grykësia…
Gazetari: E thoni këtë se ai u largoi përfundimisht nga politika?
Fatos Nano: Jo. E them se e shoh përditë, u jep prova të gjithëve përditë.
Abcnews.al