Vrasja e Shkëlzen Kastratit, makina që dogjën autorët e vjedhur në Greqi. Sekuestrohet mjeti i dytë

schedule11:54 - 4 Shkurt, 2021

schedule 11:54 - 4 Shkurt, 2021

Detaje të reja janë mësuar nga vrasja e ndodhur në Fier këtë të hënë, ku u ekzekutua teksa po udhëtonte me makinë Shkëlzen Kastrati. Burime bëjnë me dije për ABC se makina Range Rover që u gjet e djegur pas ngjarjes rezulton e vjedhur pak muaj më parë në Greqi.

Policia nuk ka zbuluar ende mënyrën se si ajo është futur në territorin shqiptar. Edhe në momentin që iu vu flaka pasi u bë vrasja e Shkëlzen Kastratit, makina Range Rover ishte me targa greke të rregullta.

Mbrëmjen e djeshme, policia e Fierit ka sekuestruar në Kamëz një automjet tip Audi për të cilin dyshohet se autorët janë larguar pasi dogjën Range Roverin. Blutë kanë arritur ta identifikojnë atë nga kamerat e sigurisë përgjatë zonës në Fier.

Deri më tani janë shoqëruar 8 persona, mes të cilëve edhe pronari i makinës që u sekuestrua në Kamëz. Mësohet se ai ka thënë se e kishte shitur makinën, por nuk ka bërë akt shitje, duke treguar edhe emrin e personit që e ka blerë atë.

Tashmë ky i fundit është shpallur në kërkim nga policia. Pasi i është marrë deklarimi pronari i Audit është lënë i lirë nga uniformat blu. Kontrollet për persona të dyshuar si të përfshirë në ngjarje janë kryer edhe Durrës, periferitë e Fierit dhe në disa zona të Vlorës./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!