Myqerem Tafaj, ish-ministër i Arsimit ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në Radarin Informativ në “ABC” përballë gazetares Jonida Shehu për të analizuar programin për arsimin që prezantoi Lulzim Basha. Tafaj e cilësoi ambicioz dhe realist programin.
“Është një program shumë ambicioz, mua më duket një skenar i llogaritur. Unë e vlerësoj gatishmërinë për të rritur buxhetin për arsimin. Rritja e pagave të mësuesve është realiste, krahasohet me Kosovën. Ky investim është menduar që të shkojë te nxënësit, studentët, mësuesit dhe pedagogët.
Tekstet falas për arsimin 9-vjeçar, është një paketë që ndihmon nxënësit direkt, sidomos ata që vijnë nga shtresat e varfra. Është një risi përgjysmimi i tarifës së masterit. Premtimi për të dyfishuar buxhetin e arsimit të lartë është realist” tha ai.
Por si e shikon ai cështjen e autonomisë në arsimin e lartë? “Edhe autonomia do të sigurohet përmes përmirësimeve në ligjin e arsimit të lartë. Qeveria do të ishte mirë të mos ndërhynte te tarifa por si do të ndihmohen studentët? Ky është një subvencionim për studentët që vijnë nga familjet në nevojë” theksoi ai.
Një tjetër premtim i Bashës është ushqimi në shkolla për fëmijët. “Unë e kam dëgjuar kur zoti Basha e shpjegoi dhe e kam kuptuar që do të pilotohet, njëherë në zonat më të varfra.
Ushqimi në shkolla është një sfidë që e kanë shumë vende perëndimore dhe është një lehtësi shumë e madhe për familjet. Është pozitive që të fillojë që të mendohet për një masë të tillë, por duhet të shohim sa shpejt mund të shtrihet”.
Por ku do të gjenden milionat e eurove për rritjen e pagave të mësuesve, pedagogëve, ushqimin në shkolla, uljen e tarifave të masterit, bursat, etj? “Ju keni të drejtë, është premtuar gjithmonë të arrihet 5% buxheti i arsimit, por unë i referohem programit ekonomik.
Mundësia për t’u realizuar aq të ardhura sa edhe arsimi apo shëndetësia të përfitojë kaq të ardhura është shpjeguar te platforma ekonomike” tha Tafaj duke e lënë “topin” te ekspertët që hartuan programin.
Ish-ministri tha se ka dhënë kontributin e tij për programin e arsimit. “Mua më kanë marrë mendime herë pas here, jam anëtar i këshillit kombëtar të PD-së. Janë bërë shumë tavolina me mësues, me pedagogë, me studentë dhe unë them se ekipi i zotit Basha ka arritur të pasqyrojë mirë kërkesat, në mënyrë realiste”.
I pyetur nëse pretendon që të kandidojë në zgjedhje, ai tha “Jo, jo, jam i tërhequr”./ db/Abcnews.al