Paloka: Balla pranoi miqësinë me Begon

schedule19:31 - 21 Gusht, 2018

schedule 19:31 - 21 Gusht, 2018

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, përmes një deklarate për shtyp tha se tre ditë pas arrestimit,  numri 2 i Partisë Socialiste, Taulant Balla, pranoi miqësinë familjare me Edmond Begon, por nuk shpjegoi çfarë e lidh me anëtarin e bandës së Lushnjës, trafikantin ndërkombëtar të drogës të dënuar me 21 vjet burgim dhe që mban 5 emra. Sipas Palokës në çdo vend normal do të pasonte me dorëheqjen nga çdo funksion politik.

“Taulant Balla u detyrua të pranojë atë që e dinë të gjithë: se ai ka miqësi familjare me ish anëtarin e bandës më të pamëshirshme në Shqipëri, që është i dënuar në Itali me 21 vjet burg si trafikant i rrezikshëm droge dhe është shndërruar nga Rilindja në një biznesmen të fuqishëm ndërtimi. Taulant Balla gënjeu publikisht, kur tha se miqësia me Edmond Begon nuk i ka dhënë trafikantit të drogës mburojë politike, por nuk i dha përgjigje pyetjes: Pse aksioni qeveritar “Forca e Ligjit”, i cili verifikon ligjshmërinë e pasurisë së trafikantëve të drogës, nuk ka vepruar ndaj mikut të tij Mondi Bego. Në çdo vend normal, një rrëfim i tillë për miqësi familjare me botën e krimit do të pasonte me dorëheqjen nga çdo funksion politik. Në Shqipëri, ky standard funksionon me shkarkim nga detyra për gjyqtarët, prokurorët dhe policët. Por nuk funksionon për Edi Ramën, Fatmir Xhafën dhe Taulant Ballën”, tha Paloka.

Sipas Palokës, prokuroria duhet të sqarojë, nëse e ka shkelur apo jo ligjin duke informuar zyrtarisht Taulant Ballën për gjendjen hetimore të Jurgis Çyrbjes, anëtarit deputet të bandës së Emiljano Shullazit.

“Përsa i përket shpjegimit për Jurgis Çyrbjen, anëtarin e bandës tjetër, asaj të Emiljano Shullazit, i mjeri Taulant Balla gënjeu trashë. Prokuroria nuk mund të japë zyrtarisht, siç tha Balla, asnjë informacion për persona nën hetim. Heshtja e prokurorisë, siç ka vepruar gjithë këto ditë, veçse konfirmon faktin se ajo nuk i shërben të vërtetës, por pushtetit të Edi Ramës dhe krimit të organizuar të lidhur me të”, deklaroi ai.

Sipas Palokës, numri dy i Partisë Socialiste nuk duhet të sfidojë Partinë Demokratike, por duhet të sfidojë prokurorinë dhe policinë, duke iu kërkuar zbatimin e “Forcës së Ligjit” për të hetuar se kush e ka ndihmuar një trafikant të rrezikshëm droge, ish-anëtarin e bandës së Aldo Bares, të pajiset me leje, licensa dhe të fitojë miliona euro punë publike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!