Mirel Josa ka debutuar në krye të Kukësit, në një stadium ku ka provuar të ngrejë titullin kampion kur drejtonte Skënderbeun. Trajneri kryeqytetas, pas ndeshjes foli në një lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
“Limajn e kam ndjekur edhe më parë dhe është me shumë cilësi. Kishim probleme në krah dhe menduam në momente të caktuara të vendosnim një lojtar cilësor në atë pozicion. Duhet të rritet më shumë në disa aspekte, por jam i kënaqur.
Klubi ka kërkesat e tij për lojtarin dhe unë kam kërkesat e mia. Kam strategjinë time për ndërtimin e një skuadre. Kukësi ka lojtarë cilësorë, pavarësisht se ka pasur probleme, që nuk kanë ardhur prej fajeve të ish-trajnerit.
Më pëlqen kjo vendosje, pavarësisht se lojtarët e mesfushës duhen shfrytëzuar më mirë. Sot fituam, por nuk u zgjidh gjithçka, duhet të përmirësohemi nga java në javë. Kështu më pëlqen ta vendos skuadrën po të kemi lojtarë më të shpejtë në krah, do e vendos ndryshe.
Titulli? Klubi nuk ma ka kërkuar dhe unë edhe njëherë po e them se nuk kam luajtur mendësh. Vllaznia është 13 pikë para dhe unë krahasoj me veten time kur kam qenë te Skënderbeu“, tha trajneri i ekipit kuksian. /abcnews.al