Albin Kurti: Nuk do të nisim luftën e tretë Ballkanike për t’u bashkuar me Shqipërinë

schedule12:18 - 30 Janar, 2021

schedule 12:18 - 30 Janar, 2021

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti në një bashkëbisedim me redaktorët e revistës politike të Oksfordit ka folur lidhur me bashkimin me Shqipërinë, raporton Gazeta Express. Kurti është shprehur se Kosova duhet ta ketë të drejtën e referendumit. Kryetari i Vetëvendosjes tha se Kosova nuk do të shkaktojë luftë të tretë ballkanike në mënyrë që të ndodh bashkimi me Shqipërinë.

“Kushtetuta e Kosovës thotë që Kosova nuk mund të bashkohet me ndonjë shtet tjetër. Serbët, boshnjakët e të tjerë janë qytetarë të Kosovës, por kur Serbia dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës, atëherë Kosova është shtet i dobët për t’u konfrontuar me hegjemoninë e Serbisë. Serbia dëshiron që të krijojë Serbinë e Madhe pasi që Beogradi u bën presion serbëve nëpër shtete të Ballkanit të mos integrohen. Ne duam të kemi të drejtën e referendumit, ne nuk duam të shohim ndonjë formë të dhunës për tu bashkuar. Kosova duhet ta ketë të drejtën për referendum jo domosdo që të bashkohemi me Shqipërinë por të kemi të drejtën e referendumit. Nëse bëhet në formë paqësore dhe demokratike atëherë po bashkim me Shqipërinë dhe do ta respektojmë rezultatin por në asnjë mënyrë ne nuk do të nisim një luftë të tretë ballkanike në mënyrë që bashkohemi me Shqipërinë”, tha Kurti.

Ai ka folur edhe për shkarkimin e Agim Veliut dhe tentimin për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme nga ish-presidenti Thaçi. “Në mars 2020, ne filluam me një mbyllje por ish-presidenti dëshironte të shpallte gjendje emergjente dhe ai dëshironte që të merrte kompetencat e drejtimit të shtetit në dorën e tij. Ai dëshironte fuqi për të shndërruar Kosovën nga Republikë Parlamentare në Republikë Presidenciale. Ai mendoi se është mbret, imagjino sikur Mbretëresha Elizabeta t’i bëjë thirrje policisë në Britani për të mos u bindur urdhrave të kryeministrit Johnson”, tha Kurti.

Kandidati për kryeministër i VV’së tha se nuk është i gatshëm që të hyjë në dialog për të kompensuar Serbinë. “Unë mendoj se ne duhet të jemi të sinqertë për të pasur një marrëveshje të qëndruar, ne duhet të bëjmë kërkesa ndaj njëra-tjetrës. Serbia ka disa kërkesa për Kosovën edhe ne gjithashtu dhe t’i vendosim në tavolinë kërkesat tona për të pasur një dialog të drejtë. Ne duhet t’i rishikojmë 33 marrëveshjet paraprake me Serbinë, pra marrëveshjet nuk zbatohen. Duhet ta mbyllim atë kapitull në mënyrë që të vazhdojmë përpara. Unë jam gati për të dëgjuar nevojat dhe kërkesat për serbët e Kosovës ata janë bashkëqytetarë të mi, por më duhet të them që nuk jam gati për të hyrë në një projekt ku ne duhet të kompensojmë Serbinë për humbjet që i ka shkaktuar në Kosovë. Lotët në fytyrën e Vuçiçit nuk janë lot të serbëve të zakonshëm por lot të Serbisë si shtet që e ka humbur Kosovën. Negociatat në dialog janë diçka që njerëzit duhet të jenë përfitues, dhe jo politikanët. Ne duhet të ndihmojmë njerëzit”, tha Kurti./ Gazeta Ekspres