Në mbledhjen e sotme të qeverisë janë miratuar disa vendime nga Këshilli i Ministrave, mes të cilëve edhe për rekrutimet në administratë.
Sipas vendimit, për vitin që sapo ka nisur numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim është 705.
Në vendim jepen kategoritë. Departamenti i Administratës Publike ngarkohet për zbatimin e vendimit.
VENDIMI I PLOTE
Vendim për planin vjetor të pranimit për vitin 2021 në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
- Numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2021 është, gjithsej, 705 (shtatëqind e pesë), të ndara sipas kategorive të mëposhtme:
- a) Për Trupën e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues 4;
- b) Për kategorinë e mesme drejtuese 60;
- c) Për kategorinë e ulët drejtuese 169;
ç) Për kategorinë ekzekutive 472.
- Grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm në kategorinë ekzekutive janë, si më poshtë vijon:
– Shkenca juridike;
– Audit i brendshëm;
– Shkenca ekonomike;
– Shkenca ekonomike/juridike;
– Shkenca shoqërore;
– Shkenca sociale;
– Histori-filologji;
– Shkenca mjekësore;
– Veterinari;
– Agronomi;
– Shkenca biologjike dhe të ngjashme me to;
– Kimi;
– Shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme;
– Shkenca inxhinierike;
– Arkitekturë;
– Arkeologji dhe restaurime;
– Arte të bukura;
– Gjeodezi;
– Shkenca ekzakte;
– Shkenca edukimi;
– Mësuesi;
– Arsim i lartë ushtarak/policor;
– Arsim i lartë.
- Institucionet e administratës shtetërore, ku planifikohen vendet vakante gjatë vitit 2021, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
- Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
db/Abcnews.al