Aktori i njohur, Leonardo DiCaprio i ka dërguar një letër të hapur Presidentit të ri të Amerikës, Joe Biden duke e nxitur atë që ta konsiderojë si prioritet krizën klimatike.
Javën e kaluar, Biden ktheu në Shtetet e Bashkuara në Marrëveshjen e Parisit, një pakt ndërkombëtar për ta luftuar ndryshimin klimatik. Në vitin 2017, Donal Trump e kishte tërhequr Amerikën nga ajo marrëveshje.
“Tani është koha për ne që të ballafaqohemi me krizën klimatike”, ka shkruar DiCaprio në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram. “Sot, unë bashkohem me udhëheqësit botërorë nga biznesi, qeveria, puna dhe lëvizja mjedisore, duke i bërë thirrje Presidentit @JoeBiden të jetë udhëheqësi i klimës që na duhet dhe që e kërkon shkenca,” shtoi ai.
Letra e DiCaprios u nënshkrua nga figura të shquara të showbizit, klimës dhe shkencës.
“Punët që na presin janë të mëdha: nevoja për ta trajtuar krizën shkatërruese globale të shëndetit dhe krizat ekonomike, dhe nevoja për të bashkuar amerikanët për ta bërë këtë, është urgjente”, shkruhej në këtë letër. “Ndërsa shërohemi nga Covid-19 dhe rindërtojmë ekonominë globale, duhet të veprojmë edhe ndaj ndryshimeve klimatike. Në fakt, këto nuk janë misione të ndara; ato janë një dhe e njëjta. Kjo është dekada më vendimtare në historinë njerëzore për t’u përballur me krizën e klimës. Ju mund të kujtoheni si ‘presidenti i klimës’ që e çoi njerëzimin larg shkatërrimit. Ju mund t’i transformoni sistemet e energjisë në botë nga lëndët djegëse fosile në energji të pastër, ndërsa gjithashtu krijoni një bollëk të vendeve të punës, duke zvogëluar ndotjen e dëmshme dhe duke trajtuar pabarazinë ekonomike, racore dhe shëndetësore në proces. Zgjedhja për të bërë udhëheqje të guximshme na lejon të rikthehemi më mirë dhe më fuqishëm, duke ecur përpara drejt një bote të re të cilën mund të krijojmë së bashku. Duke u ribashkuar me Marrëveshjen e Parisit në ditën e parë të detyrës si president, ju i keni kthyer Shtetet e Bashkuara në drejtimin e duhur. Por, siç e keni deklaruar edhe ju, kjo nuk është e mjaftueshme dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta luftuar krizën klimatike”, ka përfunduar DiCaprio. l.k/abcnews.al
View this post on Instagram