Nga Ema Shazivari
Fundi i muajit janar shkakton fluks në urgjencën pediatrike. Por, ndryshe paraqitet situata këtë vit. Mjeku pediatër Albert Lama, thotë se ka rënë ndjeshëm numri i fëmijëve që paraqiten krahasuar me një vit më parë. Në janar kishte rreth 100 vizita në ditë. Një vit më parë ky numër ishte tre herë më i lartë.
“Kemi një situatë shumë normale. Nuk jemi në një situatë epidemiologjike, që të themi se kemi një numër mbi mesatar. Përkundrazi, është nën mesataren e pritshme në raport me demografinë në Tiranë, dhe në raport me stinën ku jemi. “
Janë kryesisht viroza të traktit respirator.
“Në stinën ku ne jemi, dominojnë më tepër infeksionet respiratore, ose infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Ose edhe më tej, bronkopneumoni ose e ftohura siç njihet ndryshe. Simptoma bazë me të cilën prindërit shqetësohen, është temperatura, por edhe të vjellat apo diarreja.”
Lama thotë se më të prekur janë fëmijët deri në moshën 4 vjeç.
“Grupmosha më e prekur është gjithmonë deri në 4 vjeç.”
Apeli kryesor i mjekët është shmangia e ambiente të ftohta dhe i ushqimeve të konservuara. /abcnews.al/