Lezhë, mbulohet nga plehrat hidrovori i Talës

schedule14:58 - 16 Gusht, 2018

schedule 14:58 - 16 Gusht, 2018

Hidrovori i Tales në Lezhë është mbuluar nga mbeturinat dhe pompat rrezikonin të dilnin jashtë funksionit. Por me dhënien e alarmit nga gazetarët, Bordi i Kullimit nisi aksionin e pastrimit.

 

Duket sikur të gjitha plehrat e Lezhës kanë përfunduar në hidrovorin e Talës. Ndotja shkon në mbi 2 metra dhe rrezikon ti nxjerrë jashtë funksioni pompat. Aty ka edhe kafshë të ngordhura dhe këto ujërat kalojnë më pas në det. Situata ka disa muaj dhe drejtori i Bordit të Kullimit në Lezhë, Ndue Preka, thotë se po veprohet pasi u lajmërua nga gazetarët. Ai fajëson banorët që hedhin mbeturinat në kanal.

Ndue Preka, Drejtor i Bordit të Kullimit Lezhë: “Mbeturinat vazhdimisht mblidhen gjatë punës së hidrovoreve. Kjo është kultura dhe edukata e shqiptarëve, i hedhin në kolektor, i hedhin në lumej dhe herë pas herë krijohen situata dhe pastrohen. ”

Pavarsisht se Preka e pranon problematikën, përsa u përket toksinave nga kafshë të ngordhura, ai thotë se ka urdhëruar pastrimin e vazhdueshëm të tyre, por në fakt nuk ka punëtor zgare. Ata janë larguar nga puna si pjesë e një reforme dhe shpreson që të rikthehen.

“Punëtorët e zgarave janë hequr në kuadrin e këtij përqndrimi që është bërë. Përqëndrimi ka efekte e tij pozitive, por është shkurtuar fuqia punëtore për disa hidrovore siç është: Talja, Droja, Shllinzat. Unë e gjykoj që punëtorët e zgarave duhet të jenë.”

Hidrovori i Talës grumbullon ujërat e rreth 13 km kanale kulluese dhe tejmbushja me mbeturina ka bërë që të rrezikohet funksionimi i tij në kohë rreshjesh shiu edhe përmbytje të zonës. Mekanizmi i pastrimit nuk ekziston. Nuk ka asnjë eskavator dhe punëtorët që bënin pastrimin manual të zgarave hyrëse janë larguar nga puna dhe kjo paralajmëron përsëritje të situatës./abcnews.al