Vetëm pak ditë kanë kaluar nga përfundimi i aventurës së Rafael Benitez në kampionatin kinez. Tekniku spanjoll e mbylli kontratën e tij në konsensu me klubin e tij, Dalian Pro, dhe me shumë mundësi do të rikthehet të drejtojë në Europë.
Megjithatë, klubi kinez po mendon për zëvendësuesin e Benitez dhe sërish kemi të bëjmë me një tjetër spanjoll. Bëhet fjalë për ish-trajnerin e Barcelonës, Quique Setien. 62-vjeçari vazhdon të jetë i papunë dhe emri i tij është lakuar shpesh në klubet aziatike.
Tashmë mësohet se ai është në bisedime të avancuara me Dalian Pro dhe në ditët në vijim pritet dhe zyrtarizimi i marrëveshjes. Kujtojmë që Quique është ende në gjyq me klubin katalanas, që nga shkarkimi i tij në verën e kaluar. /abcnews.al