Janë vënë në pranga dy nga autorët e tentativës për vjedhje në një dyqan celularësh një javë më parë në Fier. Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Agimi” u arrestuan G. F., 32 vjeç, banues në Peshtan, Fier, (i dënuar më parë për vjedhje) dhe E. G., 26 vjeç, banues në Zhupan, Fier.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e dy autorëve të tjerë, A. F., 32 vjeç, banues në Peshtan i Vogël dhe G. B., 33 vjeç, banues në Fier.
Në vijim të punës intensive dhe veprimeve operative hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur orët e para të mëngjesit të datës 17.01.2021, ku u tentua të vidhet me thyerje dyqani i celularëve në pronësi të shtetasit R. C., nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, u realizua me sukses operacioni policor i koduar “Agimi”.
Gjatë tentativës për vjedhje, të ndodhur më 17 janar dy autorët janë pikasur nga një punonjës i policisë i cili ka ndërhyrë për të parandaluar vjedhjen duke u përplasur fizikisht me autorët. Këta të fundit, gjatë largimit kanë goditur me automjetin e tyre tip “Ford” mjetin privat të punonjësit të policisë.
Policia sekuestroi automjeti tip “Ford” i cili nga hetimet e kryera rezulton se është vjedhur në Tiranë më 13 dhjetor të vitit 2020. Po ashtu, policia sekuestroi edhe 6 aparate celularë. s.b/abcnews.al/