Kastrioti është rivali i radhës i Vllaznisë në kampionat. Kuqeblutë e vendit të parë presin në “Loro Boriçi” skuadrën krutane, duel që nis prej orës 16:45 të ditës së diel. Në konferencën për shtypin doli Herald Marku.
Mesfushori i ekipit shkodran foli rreth sfidës së nesërme, teksa preku edhe disa tema të tjera. “Është një ndeshje e vështirë kundër një kundërshtari të fortë. Unë kam qenë pjesë e Kastriotit dhe kam shumë respekt për klubin dhe drejtuesit sepse më kanë mbështetur.
Ne nesër futemi në fushë për të marrë fitoren. Po kalojmë një gjendje të mirë si në lojë ashtu edhe jashtë saj. Kush del në konferencë shënon? Uroj të jetë edhe fati im nesër. Do ishte një kënaqësi, por nuk do festoj në shenjë respekti.
Distanca? Na bën të jemi komod. Është një diferencë e kënaqshme, siç e tha edhe trajneri i marrim kapitujt me radhë, nuk duhet të mendojmë për diferencat por të përqendrohemi dhe të bëjmë atë që dimë.
Rivali? Vllaznia. Nëse do bëjmë më të mirën tonë do tregojmë që kemi vazhdimësi dhe mund të bëjmë mirë. Nuk dua të jap emër, sepse të gjitha skuadrat janë të forta. Të fokusohemi te vetja, pasi nëse gabojmë gjithçka prishet“, deklaroi 24-vjeçari i lindur në Laç. /abcnews.al