Pa barriera mbrojtëse, kthesa që vret njerëz në Fier

schedule12:29 - 23 Janar, 2021

schedule 12:29 - 23 Janar, 2021

Nga Valbona Davidhi

Kjo është kthesa famëkeqe e Qarrit në Fier ku në 28 dhjetor të viti të kaluar, humbën jetën një çift bashkëshortësh. Makina doli nga rruga dhe përfundoi në kanal.

Një “kurth vdekjeprurës” veçanërisht për shoferët që nuk e njohin zonën.

Këto tabela që tregojnë se përpara është një kthesë, u vendosën pas aksidentit fatal të 28 dhjetorit.

Por me përmasa të tilla, janë pothuajse të padukshme, ndërsa shumë prej tyre kanë nisur të dëmtohen.

“Tabelat që janë vënë janë të vogla dhe duhet të ishin vënë më përpara paralajmërohet të paktën 200 metra më para që këtu është një kthesë e rrezikshme”, thotë një qytetar.

“Duhet tabelë e ndritshme ta çosh aty në mes. Se një erë të fryjë ja ato atje kanë rënë, janë shtrembëruar”, shprehet një tjetër.

Siç thonë drejtuesit e automjeteve aksidentet mund të parandalohen me vetëm disa masa të thjeshta.

Kjo konfirmohet jashtë kameras dhe nga drejtues të policisë rrugore në Fier. Këta të fundit thanë për ABC se në këtë kthesë të fortë që është 90 gradë duhen vendosur urgjentisht barrierat anësore për të shmangur rënien e makinave në kanal.

“Është kthesë e fortë. Duhet të ketë barriera mbrojtëse dhe një trekëndësh që thotë stop”.

Banorët janë bërë dëshmitarë të dhjetëra aksidenteve që kanë të njëjtën dinamikë. Makina që dalin nga rruga dhe përfundojnë në kanal.

“Këtu kanë ndodhur shpesh aksidente ca vite një kushëriri im ra në kanal se nuk kishte kartela(tabela)”.

Ka pasur raste kur vetë banorët i kanë nxjerrë makinat me mjete bujqësore nga kanali, por në rastin e bashkëshortëve Ndue Prenci dhe Pashkë Maçi ishte tepër vonë. Ata u mbytën në ujin e ftohtë pa mundur të dilnin nga mjeti.

Kthesa e Qarrit është një nga shumë të tilla në Qarkun e Fierit ku mungesa e elementëve të sigurisë në rrugë vret udhëtarët.

Përgjegjësia për këto rrugë rurale është e pushtetit vendor edhe në ato raste shumë raste sinjalistika edhe kur vendoset, bëhet pre e vjedhjeve ose dëmtohet. /abcnews.al