EKSKLUZIVE: Dunga i Sagan Tosu, Vllaznia afron anësorin e Togos (VIDEO)

schedule09:53 - 22 Janar, 2021

schedule 09:53 - 22 Janar, 2021

Dunga dhe një emër i ri, në Shkodër ka zhvillime. Vllaznia dhe Sagan Tosu kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Pas bisedimeve intensive është rënë dakord që klubi shkodran të arkëtojë 70 mijë euro nga shitja e sulmuesit Ismael Dunga, i cili do të nisë një eksperiencë të re në Japoni, në klubin ku më parë ka luajtur edhe Fernando Torres.

Për shifrën mes klubeve kishte pasur dakordësi prej kohësh, por një nga kleçkat ishte pagesa. Ajo do të bëhet me një këst dhe firma mbi kontratë është hedhur. Abcnews.al mëson se Sagan Tosu duhet të derdhë në arkat e Vllaznisë shumën e parave deri më 28 shkurt.

Nëse nuk ndodh deri atëherë, në marrëveshje janë parashikuar edhe penalitete dhe normalisht Vllaznia do të marrë diçka më tepër. Gjithsesi nuk besohet se do të ketë probleme për këtë pjesë. Vllaznia toleroi goxha, pasi klauzola për largimin e Dungës ishte 200 mijë euro.

MESFUSHORI – Elom Nya-Vedji, ky është lojtari i radhës që pritet të nënshkruajë me Vllazninë. Futbollisti nga Togo, pjesë e kombëtares së tij në të shkuarën, ndodhet në Shkodër dhe ditën e sotme do të zyrtarizohet, sikurse bëjnë me dije burime të abcnews.al.

Nya-Vedji, 23 vjeç, luan si anësor i djathtë dhe ka spikatur te Zeta në Mal të Zi. Pjesën e parë të këtij sezoni ai ka luajtur në 16 ndeshje (11 titullar) dhe ka shënuar katër gola. Për herë të parë në Europë i është bashkuar skuadrës së Rudar (17 ndeshje, 3 gola) dhe tani po bëhet gati për një eksperiencë të re në Superiore. /abcnews.al