Galeria Kombëtare e Arteve do të rikonstruktohet

schedule14:42 - 14 Gusht, 2018

schedule 14:42 - 14 Gusht, 2018

Hapësirat e Galerisë Kombëtare të Arteve do ti nënshtrohen restaurimit, rikonstruksionit dhe rehabilitimit. Ministria e Kulturës ka hapur tenderin për hartimin e projektit me fond limit 12 milionë e 500 mijë lekë.

Në relacionin mbi gjendjen ekzistuese të Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura tregohen arsyet pse duhet bërë kjo ndërhyrje.
Gjendja e përgjithshme e objektit shfaqet e rënduar dhe e amortizuar në kohë. Gjatë viteve, në objekt është ndërhyrë pjesërisht në rifiniturë dhe në mirëmbajtje.

Salla e ekspozitës e katit të tretë ka nevojë të rikonstruktohet në mënyrë të tillë që të jetë sa më funksionale dhe në kushte teknike sipas standartit.
Hidroizolimi i godinës është në gjendje të degraduar, në pjesën e podrumit ka prezencë të lagështisë, në perimetrin e jashtëm si dhe në tarracë.

– Hidroizolimi dhe termoizolimi i hapësirave të dritareve është në gjendje të degraduar;

– Ndriçimi natyral i katit të tretë, nuk është realizuar në formën dhe materialin e duhur, duke u bërë shkak i trasmetimit jo vetëm të temperaturave të jashtme, por dhe shirave;

– Dera kryesore duhet spostuar për të kthyer në identitet Galerinë Kombëtare të Arteve;

– Është e nevojshme rikonstruksioni i ambienteve të Fondit të veprave dhe skulpturave;

-Sistemi elektrik është i amortizuar, nuk përmbush normat e lejuara dhe ka nevojë për shtimin e kapacitetit;

– Sistemi i aspirim/kondicionimit nuk është funksional;

– Ka mungesë të sistemit të mbrojtjes kundra zjarrit, si një kusht shumë i rëndësishëm për kategorinë e funksionit të godinës. Mungon dhe një sistem sigurie. Këto janë vetëm disa nga problemet që kërkojnë ndërhyrje sipas relacionit të specialistëve të Ministrisë së Kulturës.

-Që prej vitit 2007 “Galeria Kombëtare e Arteve” gëzon statusin Monument Kulture i kategorisë së dytë. Gjithashtu përfshihet brenda zonës së mbrojtur “Qendrës historike të aksit kryesor të qytetit të Tiranës”, miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2017./abcnews.al