Në materialin e përgatitur paraqitet një nga shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i të shtunës në Macukull të Matit. Por jo e vetmja. Aktualisht në bashkitë: Mat, Bulqizë dhe Klos jane raportuar 176 banesa të dëmtuara. Ndërkohë, shtabet e Emergjencave Civile nuk kanë përfunduar ende verifikimin.
Veç dëmeve materiale, lëkndjet e tokës kanë lënë pas frikën. Banorët tregojnë se e kanë kaluar natën jashtë.
Banori: “Jashtë kam fjetur. Ku të flesh, mund të shembet prapë. Shtëpiat janë shembur, çatia, suvatimi, tavani, krejt kanë rënë për tokë.”
Për të parë situatën në zonën më të prekur nga tërmeti, fshatin Macukull të Matit, ishte Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako. Familjeve të cilave shtëpitë iu janë kthyer në të pabanueshme, iu tha se do t’ju shpërndahen çadra.
Haki Çako, drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile: “Ka banesa të cilat nuk rekomandohet që të banojnë dhe me ta kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi në komunikim. Janë siguruar nëpërmjet rezervave të shtetit çadra për të sistemuar dhe rregulluar banorët të cilët nuk do të duhet të hyjnë më nëpër banesat, të cilat janë dëmtuar masivisht.”
Tërmeti me magnitudë 5.4 i shkallës rihter me epiqendrën në Bulqizë, eshte tërmeti i dytë i forte brenda disa javësh, pas atij me epiqendër në Gjirin e Lalzit. Ndërsa dhe gjatë natës deri mëngjesin e sotëm, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka regjistruar 10 lëkundje të tjera me intenstiet më të ulët./abcnews.al