Kalifornia vazhdon të digjet ndërsa guvernatori i saj ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Janë më shumë se 21 mijë të evakuuarit, ndërkohë që dhe të burgosurit janë vënë në ndihmë të banorëve.
Kalifornia vazhdon të digjet. Sipas asaj që raporton BBC më shumë se 21 mijë banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre që ndodhen përgjatë lumit Elsinor në Kontenë Orinxh, në jug të shtetit.
Urdhri për evakuim është dhënë në një kohë që zjarri po avancon, e deri tani ka shkrumbuar më shumë se 10 mijë hektarë pyll në veri të San Diegos.
Një person i dyshuar se ka qenë shkaktari i nisjes së këtij zjarri ka dalë para gjykatës me akuzën e zjarrvënies së qëllimshme. Seanca është shtyrë për në 17 gusht, dhe i duhet të paguajë 1 milion dollar nëse do të presë ditën e gjyqit në shtëpi.
Guvernatori i Kalifornisë Xherri Braun ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në dy Konte, jo shumë larg Los Angeles për shkak të zjarrit që po rrezikon me mijëra ndërtesa.
Zjarri i shenjtë, ashtu si është pagëzuar në vend, ka pushtuar kontetë e Orinxh dhe Riversajd, dhe është vetëm një nga 16 zjarret që kanë shpërthyer në Kaliforni. Në gatishmëri janë vënë më shumë se një mijë zjarrfikës, dhjetë helikopterë dhe shtatë avionë.
Kjo është java e tretë e zjarreve dhe deri tani janë djegur në total 72 mijë hektarë tokë dhe 1600 struktura. Tymi i zjarreve po përhapet rreth 48oo kilometra larg deri në Nju Jork.
Mediat vendase raportojnë se dhe disa të burgosur janë vënë në ndihmë të banorëve për t’i evakuar sa më shpejt.
Rekordi më i ri i shënuar në shtetin amerikan është ai i temperaturës së lartë të oqeanit ku në datën 9 gusht është regjistruar një temperaturë prej 26.4 gradë Celsius në ujërat sipërfaqësore. /abcnews.al