Mbrojtësi i Milanit drejt Parmës, Ibrahimovic në historinë e kuqezinjve

schedule16:43 - 17 Janar, 2021

schedule 16:43 - 17 Janar, 2021

Milani është një nga klubet më aktive në merkato. Kuqezinjtë prezantuan Soualiho Meite ditën e djeshme, me francezin që ka ardhur në formë huazimi nga Torino për të përforcuar mesfushën e ekipit të Stefano Piolit.

Jo vetëm Meite, pasi “djalli” ka siguruar edhe shërbimet e Mario Mandzukic. Kroati sjell eksperiencë dhe gola në repartin ofensiv, teksa ka akord edhe në lidhje me Fikayo Tomorin, mbrojtësin 23-vjeçar të Chelsea.

Ndërkohë, Andrea Conti e ka mbyllur me Milanin. Klubi i njohur ka arritur akordin me Parmën. Mbrojtësi i djathtë pritet të huazohet tek emilianët, të cilët kanë të drejtën e blerjes së kartonit të tij në fund të sezonit për shumën e 7 milion eurove.

Fjala e fundit i takon 26-vjeçarit, i cili preferon më shumë kalimin te Fiorentina. Kuqezinjtë luajnë në fushën e Cagliarit të hënën në mbrëmje, sfidë që duhet fituar për të vijuar kryesimin e kampionatit italian.

I gatshëm do të jetë edhe Zlatan Ibrahimovic, i cili do e nisë si titullar duelin ndaj skuadrës sarde. Bomberi suedez numëron 78 gola me Milanin, të realizuar në dy aventurat që ka provuar me ekipin e njohur italian.

Emra të tjerë kanë shënuar më shumë se 39-vjeçari me fanellën kuqezi mbi supe, por Ibra krenohet me një tjetër statistikë. 78 golat janë realizuar në 117 takime, me një mesatare prej 0.67 goli për ndeshje.

Më mirë se gjiganti i sulmit ka bërë vetëm Gunnar Nordahl, një tjetër suedez. Ish-sulmuesi nordik shënoi 221 gola në 268 takime me Milanin (1949-1956), me një mesatare të fantastike prej 0.82 goli për ndeshje. /abcnews.al